Thursday, September 19, 2024

Situata te Vllaznia-Gjobiten trajneri Brdariç dhe drejtori sportiv Osmani. Presidenti Xhaferi: Nuk ka çështje, por diskutime për të mirën e punës!

Lexo

Pak javë para nisjes së kampionatit situata te Vllaznia nuk është ajo më e mirë, edhe pse drejtuesit e saj janë munduar ta minimizojnë çështjen e fundit. Drejtori sportiv i kuqebluve, Tefik Osmani, është drejt largimit për shkak të një krisjeje që ka pasur së fundi me drejtuesit e lartë të klubit, ku shkak është bërë mosaktivizimi i një lojtari në miqësoren e fundit me Burrelin.

REAGIMI I XHAFERIT – Për lajmin e publikuar në numrin e djeshëm, “Panorama Sport” ka kontaktuar me presidentin e Vllaznisë, Alban Xhaferi, i cili ka pohuar se nuk ka çështje, por diskutime për të mirën e punës.

“Nuk kemi asnjë çështje, përveç marrëdhënieve normale të punës dhe diskutimeve për të mirë të punës”.

Ky është reagimi i shkurtër i presidentit të Vllaznisë Alban Xhaferi për gazetën, teksa është pyetur në lidhje me largimin e mundshëm të drejtorit sportiv, Tefik Osmani. Klubi shkodran nuk ka pasur asnjë reagim zyrtar në lidhje me këtë situatë. Presidenti Xhaferi nuk e ka hedhur poshtë lajmin, por e ka quajtur “diskutim për të mirë të punës”, ndoshta duke dashur të zbutë sadopak atë që ka ndodhur së fundi.

ÇFARË NDODHI – Sipas burimeve të gazetës, pas ndeshjes miqësore me Burrelin, ku Vllaznia fitoi 1-0, ka pasur pakënaqësi nga drejtuesit e klubit për një lojtar të ri që nuk u aktivizua asnjë minutë dhe flitet se është i afërm i presidentit Xhaferi. Për këtë situatë madje mësohet se ka pasur edhe një gjobë për trajnerin Tomas Brdariç dhe drejtorin sportiv Tefik Osmani. Për çështjen në fjalë është kontaktuar trajneri Tomas Brdariç, pasi edhe ai është i përfshirë direkt, por gjermani nuk ka pasur asnjë reagim për gazetën. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me Tefik Osmanin, kështu që tani mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë konkretisht.

ABSURDITET – Janë situata absurde në fakt që nuk i shkojnë për shtat asnjë klubi profesionist futbolli dhe aq më shumë një klubi me emër si Vllaznia. Qëndrimi i presidentit Alban Xhaferi jep përshtypjen se situata do të qetësohet shpejt, megjithatë çdo gjë e vërteton vetëm koha. Fakt është që Osmani është më larg se sa afër Vllaznisë, ku rreth 9 muaj më parë mori detyrën e drejtorit sportiv. Për trajnerin ka më pak mundësi largimi, duke qenë se jemi vetëm tri javë para nisjes së kampionatit.

Admir URUÇI

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img