Sot, Skënderbeu do të luajë kundër Vllaznisë, ndeshje e vlefshme për javën e 22-të të Superiores. Një takim mjaft i rëndësishëm për korçarët, situata që po kalojnë bardhekuqtë nuk ka qenë aspak pozitive. Humbja me Egnatian ishte e pesta radhazi në kampionat, çka i kushtoi zbritjen në vendin e fundit të Abissnet Superiore. Të besuarit e trajnerit Migen Memelli nuk fitojnë që nga 18 dhjetori i viti të shkuar, duke marrë vetëm 2 pikë në këto shtatë javë, e ndaj Vllaznisë duan medoemos që të bëjnë kthesën, për të mos e thelluar akoma dhe më shumë krizën.
Megjithatë sot të besuarit e Memellit kërkojnë kthesën e madhe përballë një ekipi të frikshëm si Vllaznia. Përmes një postimi në faqen zyrtare të Skënderbeut shkruhej: “Sot të gjitha rrugët na çojnë në strofull, të mbështesim ujqërit masivisht. Së bashku pë kthesen e madhe!”