Presidenti i Federatës Shqiptare të Skive, Elvis Toçi deklaroi në emisionin “Në Kohë Reale” në RTSH1 se shpallja nënkampione bote e Lara Colturit në Slalomin e Finlandës është një nga arritjet më të mëdha të Shqipërisë në botën e skive.
Toçi theksoi se ajo ishte një fitore me rëndësi gjë e cila sipas tij, i jep më shumë vetëbesim Lara Colturit duke qenë se këtë të diel ajo do të garojë sërish në slalomin e Austrisë.
“Arritje më të madhe se kaq, Shqipëria në botën e skive ka kapur majat. Lara ka një maturitet të jashtëzakonshëm dhe përjetoi atë datëlindje me një fitore që e bëri shumë krenare sepse është fillim sezoni dhe i dha vetes luksin për të qenë konfidente për garat që do të vijnë sepse direkt të dielën kemi garë tjetër. Transmetimi në Radio Televizionin Shqiptar bëri që çdo shqiptar të përjetojë live atë emocion që ne patëm”, tha Toçi.
Ai vuri në dukje se arritja e këtij suksesi vjen edhe falë menaxhimit të emocioneve nga ana e Lara Colturit.
“Lara është gjithmonë e qetë, Lara është e qetë në fitore, Lara është e qetë edhe në humbje sepse sporti këtë ka të bukur, nuk je gjithmonë në podium. Lara ka menaxhimin e emocioneve në nivelet më të larta sepse te një kampion në vetvete nuk duhet vetëm teknika, nuk duhet vetëm përgatitja fizike, apo fati që mos të dali skia, por përgatitja mentale”, tha Toçi ndërsa shtoi se “Lara është një projekt suksesi, është një projekt i jashtëzakonshëm, dhe ka një të ardhme të ndritur sepse gjithçka punohet me profesionalizmin më të lartë”.



