Të gjitha rrugët të çojnë në “Loro Boriçi”! Kjo është kryefjala e sotme në qytetin verior, në këtë përballje historike, kuqeblutë për titull dhe bardheblutë për mbijetesë, sfidë e vlefshme për javën e 26-të të Abissnet Superiore.
Shkodra po përgatitet për një tjetër mbrëmje të zjarrtë futbolli, teksa Vllaznia ka intensifikuar përgatitjet në prag të përballjes me Tiranën, në atë që konsiderohet si klasikja e futbollit shqiptar.
Ndeshja është programuar të zhvillohet sot në orën 19:00, në stadiumin “Loro Boriçi” ndërsa klubi kuqeblu ka zgjedhur të motivoi tifozët përmes një video promovuese të publikuar në rrjetet sociale, duke rikthyer në kujtesë një nga momentet më të forta historike mes dy skuadrave.
Bëhet fjalë për sfidën e 27 majit 2017, kur barazimi pa gola në Shkodër vulosi rënien e Tiranës nga kategoria superiore.
Në mesazhin që shoqëron videon Vllaznia thekson rolin vendimtar të tifozëve se pikërisht kur stadiumi “Loro Boriçi” mbushet, historia mer tjetër drejtim dhe se klasikja nuk shijohet nga shtëpia.
Për bardheblutë ajo përballje e vitit 2017 mbetet një nga faqet më të hidhura të historisë së klubit, ndërsa për shkodranët një kujtim që shton emocionin dhe rivalitetin për sfidën e radhës.
Sot në mbrëmje pritet një atmosferë elektrizuese në “Loro Boriçi” aty ku historia e kësaj përballje pritet të shkruaj një kapitull të ri.
Fatos LAMAJ


