Friday, November 22, 2024

Sot, ora 21.00, supersfida, Vllaznia-AEL Limassol. “Të gjitha rrugët të çojnë në “Loro Boriçi”!

Lexo

E enjte, 29 korrik 2021! Shkodra dhe shkodranët janë gati për të provuar emocionet e radhës. Akoma janë të freskta emocionet e dy javëve më parë, kur kuqeblutë e drejtuar nga gjermano-kroati, Thomas Brdariç së bashku me kolegët e tij, Plori dhe Lekiqi përmbysën disavantazhin e ndeshjes së parë, ku nga 3 me 1në Bosnje për Siroki Brijeg, fiksuan 3 me 0 në “Loro Boriçi” duke u kualifikuar për në Turin e Dytë të Conferencë League.

E njëjta gjë pritet edhe sonte, kur në orën 21.00, Vllaznia pret në shtëpi skuadrën qipriote, AEL Limassol. 1 me 0 ndeshja e javës së kaluar në Limassol. Një rezultat pozitiv është konsideruar nga Brdariç dhe kolegët e tij, futbollistë dhe drejtues të kampit kuqeblu. Një rezultat i mundshëm për t’u përmbysur. Por, për t’u arritur duhet patjetër kujdes, qetësi, profesionalizëm, besim dhe entuziasëm për të shkuar tek goli i avantazhit që barazon shifrat e përgjithshme, dhe pastaj të punohet fort për golin, apo golat e tjerë të përmbysjes.

Për këtë, skuadra kuqeblu ka punuar maksimalisht gjatë të gjithë këtyre ditëve të pragndeshjes. Pasditen e djeshme është zhvilluar seanca e fundit stërvitore anti-Limassol. Stafi teknik i ka dhënë dorën e fundit përgatitjeve dhe tashmë gjithçka është gati për sfidën e shumëpritur.

Natyrisht, që për të kaluar turin, Vllaznisë i duhen patjetër edhe tifozët e saj të zjarrtë. Ato janë arma kryesore e tyre. E kanë treguar gjithmonë, e treguan më së miri edhe dy javë më parë në mbështetjen e dhënë kundër boshnjakëve të Siroki Brijeg. Do ta tregojnë edhe sonte, madje, për vetë rëndësinë dhe pompozitetin që ofron kjo ndeshje, interesimi për të ndjekur live në “Loro Boriçi”, supersfidën, Vllaznia-AEL Limassol është në kufijtë e maksimales.

“Të gjitha rrugët të çojnë në “Loro Boriçi””. Është kjo një shprehje e tipit sportiv që do të thotë se mbrëmjen e sotme, autokolonat e tifozërisë shkodrane drejt stadiumit do të shfaqen që herët nga të gjitha portat e qytetit. Destinacioni, është aty, tek impianti gjigand i stadiumit kuqeblu që me ndriçimin e projektorëve e bën edhe më tërheqës momentin në fjalë.

Dikund, në mes komenteve dhe mesazheve të shumta sensibilizuese të tifozëve kuqeblu për ndeshjen e sotme, shkruhej: “Sonte nuk lejohen farat në shkallët e stadiumit, duart gjak për Vllazninë!”….

E pra, le të presim mbrëmjen magjike të 29 korrikut, me shpresë, besim dhe optimizëm, që në vërshëllimën e fundit të arbitrit të ndeshjes, “Loro Boriçi” të shpërthejë në brohoritjet dhe entuziasmin e kualifikimit të Vllaznisë për në Turin e Tretë të Europa Conferencë League. Që, nëse do të arrihet, dhe patjetër që do të realizohet, do të jetë një arritje spektakolare e kuqebluve tanë.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img