U mbyllën këtë të martë ndeshjet e javës së 10-të të Kampionatit Superior, me supersfidën Egnatia–Vllaznia që dhuroi emocion deri në sekondat e fundit. Dueli i zhvilluar në stadiumin e Rrogozhinës përfundoi me barazimin 2-2, një rezultat që i mban të dyja skuadrat në garën për kreun.
Mysafirët nga Shkodra ishin të parët që zhbllokuan ndeshjen, me Sherif Kallakun që shënoi në fund të pjesës së parë (44’). Në minutën e 62-të, vendësit rikthyen ekuilibrin me golin e Yahaya-s.
Momenti vendimtar erdhi në minutën e 74-t: Fangaj u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë dhe la Egnatian me 10 lojtarë, ndërsa episodin e shkaktuar solli edhe penallti për Vllazninë. Kapiteni Bekim Balaj u tregua i saktë nga pika e bardhë, duke i dhënë sërish epërsinë shkodranëve.
Megjithatë, kampionët nuk u dorëzuan. Në minutën e 86-të, Jaime shënoi golin e barazimit, duke vulosur rezultatin final 2-2.
Pas këtij barazimi, Vllaznia ngjitet në krye të Superiores me 20 pikë, po aq sa Elbasani, ndërsa Egnatia renditet e treta me një pikë më pak.



