Sporti shkodran dhe ai kombëtar në përgjithësi ka humbur një kampion. Ai është Bardhyl Hoxha, një emër shumë i njohur që një jetë të tërë ia kushtoi sportit të gjimnastikës, i cili ndërroi jetë në moshën 82 vjeçare.
Kontributin më të madh Bardhyl Hoxha e ka dhënë për gjimnastikën shkodrane, ku si trajner i një brezi të talentuar gjimnastesh të viteve 80-të: Ermira Mandija, Fatime Sujovi, Qamile Rama, Greta Bojani, Satber Tulës, Flora Skënderit, Remzije Ashikja, Mimoza Skuqi, Angjelina Manovi, Irma Zyberi, Kozeta Vasili, etj, e shpalli Vllazninë kampione kombëtare, por edhe fituese të medaljeve të arta në Spartakiadat Kombëtare në vitet 1979 dhe 1984.
Falë punës së tij të përkushtuar dhe shumë professionale, ai ndikoi në rritjen e brezave të ndryshëm kampionësh në gjimnastikën shkodrane.
Ishin këto cilësi që ndikuan në përzgjedhjen e tij si trajner i kombëtares së Shqipërisë në gjimnastikë, si dhe më ps edhe në strukturat drejtuese të Federatës Shqiptare të Gjimnastikes, ku Bardhyl Hoxha për një periudhë të gjatë kohore ishte në funksionin e Sekretarit të kësaj Federate.
Për punën dhe kontributin e dhënë në shërbim të sportit të gjimnastikës, Bardhyl Hoxha ka marrë vlerësime të ndryshme nga strukturat sportive të Shkodrës, Klubi Sportiv Vllaznia, Federata Shqiptare e Gjimnastikës dhe Presidenca.
Një nderim të veçantë për Bardhyl Hoxhën ishte në ceremoninë e 100 vjetorit të krijimit të Shoqërisë Kulturore Sportive Vllaznia, ku ai u përzgjodh si trajneri më i mirë së bashku me dhjetë gjimnastet femra të Vllaznisë në vite, si: Nurije Rama, Gjyljana Simoni, Sadber Tula, Ermira Mandija, Fatime Syjovi, Remzije Ashikja, Qamile Rama, Mimoza Skuqi, Irma Zyberi, Oneda Reçi.
Lajmi për ndarjen nga jeta të trajnerit kampion të Vllaznisë u prit me keqardhje nga komuniteti sportiv dhe sidomos ai i sportit të gjimnastikës, mes të cilëve edhe Artan Vukatana, ish gjimnast kampion me Vllazninë dhe kombëtaren e Shqipërisë, i cili në një postim të tijin në rrjetet sociale, shkruan:
“Me dhimbje të thellë mora lajmin e ndarjes nga jeta të z. Bardhyl Hoxha, një njeri i jashtëzakonshëm, i dashur dhe i respektuar nga të gjithë për mirësinë, pasionin dhe përkushtimin e tij. Trajner i vlerësuar i gjimnastikës artistike dhe sekretar i Federatës Shqiptare të Gjimnastikës, Bardhi ia kushtoi jetën sportit, duke frymëzuar breza të tërë sportistësh me entuziazmin dhe shpirtin e tij të palodhur. Humbja e tij lë një boshllëk të madh jo vetëm në botën e gjimnastikës, por edhe në zemrat e të gjithë atyre që patën fatin ta njihnin dhe të punonin me të. Do të na mungojë buzëqeshja e tij, profesionalizmi dhe aftësia e tij për të bashkuar njerëzit.
Pusho në paqe, miku ynë”.
Nga sa bëhet e ditur, Bardhyl Hoxha ndërroi jetë në Itali, atje ku pjesëtarëve të familjes Hoxha, po kryejnë ceremoninë përkatëse për e shumtë që jetojnë në emigracion, ndërkohë që një ceremoni tjetër pritet të organizohet në një njoftim të dytë në qytetin e Shkodrës.
Portali “Veriu Sport” i përcjellë ngushëllimet më të sinqerta familjes Hoxha për ndarjen nga jetë të njeriut të tyre të dashur, si dhe komunitetit të sportit të gjimnastikës për humbjen e ish kolegut të tyre kampion me Vllazninë.
Gaspër MARKU