Ishujt Faroe-Shqipëri 1-3
(Shënues: 45’+1′ Fareo/ 20′ Bajrami, 51′ Asllani, 90’+2′ Muçi)
Kombëtarja kuqezi ka luajtur të martën në mbrëmje ndeshjen e 3-të në kuadër të Eliminatoreve të Evropianit “Euro 2024”. Skuadra e drejtuar nga trajneri Silvinjo është përballur në kryeqytetin e Ishujve Faroe, Torshavn, me përfaqësuesen vendase, duke e mbizotëruar pjesën e parë të ndeshjes. Kuqezinjtë kanë bërë një vëllim më të madh loje dhe kanë ndërtuar raste për shënim, por vetëm në minutën e 20-të, është një vertikalizim i zgjuar i Asllanit për Nedim Bajramin dhe ky i fundit nuk gabon i vetëm para portierit vendas, duke e çuar topin në rrjetë.
Kalimi në epërsi u ka dhënë edhe më tepër besim në vetvete lojtarëve të Kombëtares, që mbizotërojnë në fushën e lojës dhe, në minutën e 32-të, Cikalleshi fiton një 11-metërsh, duke e marrë vetë përsipër përgjegjësinë, por duke u ndalur nga portieri vendas. Dhe pikërisht në minutën e vetme shtesë, Ishujt Faroe godasin, duke barazuar shifrat pas një goditjeje këndi, me anë të Feros.
Por pjesa e dytë nis sërish me kuqezinjtë në kërkim të golit dhe do të jetë Kristjan Asllani ai që do të godasë mjeshtërisht nga jashtë zone pas një goditjeje këndi, duke mposhtur portierin vendas dhe duke përshëndetur rrjetën.
Ndonëse Kombëtarja kuqezi do të vijojë të ndërtojë dhe të shpërdorojë raste mjaft të volitshme për shënim, por edhe do të rrezikojë të ndëshkohet sërish, duhet pritur minuta e parë shtesë e kohës së rregullt, kur i sapofuturi Ernest Muçi do të shënojë golin që do të vulosë fitoren e Shqipërisë me shifrat 3-1 ndaj Ishujve Faroe, duke marrë edhe vendin e dytë të renditjes.
GRUPI E