Në analizën e përhershme që specialisti i futbollit, Shkëlqim Muça bën në emisionin “Rubrika Sportive” në RTSH, gjatë komentit për javën e 16-të të kategorisë Superiore, është ndalur edhe tek ndeshja, Partizani-Vllaznia, e mbyllur me rezultatin 1-2 në favor të shkodranëve.
“Një ndeshje e bukur, e luajtur nga të dyja skuadrat. Vllaznia nga fillimi në fund u tregua më kërkuese, u pa qartë se kishte ardhur për të marrë pikë. Partizani ishte me oshilacione, kishte mundësinë të dyfishonte, por pastaj ishte Vllaznia që mori një ndeshje shpirti, një ndeshje zemre. Për Partizanin kam rezervat e mia, nuk tregoi personalitet, nuk e mori asnjëherë situatën në dorë përveç 15 minutave. Nuk ka harmoni në mesfushë, lojtarët nuk lidhen. Matondo duhet të jetë gjithmonë aty. Nuk është kjo loja e Partizanit, mund të bëjë më mirë”, tha Muça për duelin, Partizani-Vllaznia.
Më pas, Muça ka folur edhe për çiftet e tjera. Laçi-Tirana 1-2. “Laçi luajti minutat e para, kishte mundësi për të mbyllur ndeshjen. Por më pas Tirana nisi të marrë frenat e lojës dhe ishte gjithmonë në avantazh. Trajneri duhet të ndryshonte diçka, sepse të luash kundër Tiranës me katër sulmues është shumë. Laçi duhet ta ndërtonte më mirë lojën. Tirana i mori mesin e fushës, inisiativën e lojës, mund të kishte shënuar edhe më shumë”.
Egnatia-Erzeni 1-1.“Erzenin dhe Egnatian i shikoj me kënaqësi, sepse janë dy skuadra me rivalitet, kanë pozita të mira. E mendoja se do të dilte barazim. Është e tepërt ajo që u tha nga trajnerët për gjyqtarët. Pavarësisht diskutimeve që krijohen për rastet, mendoj se nuk ishte një ndeshje e vendosur nga gjyqtarët”.
Teuta-Kastrioti 2-0. “Fitorja e Teutës ndaj Kastriotit ishte një detyrim. Mendoj se Martini ka bërë një punë të mirë, ka ndryshuar fytyrën e skuadrës, ka një tjetër ritëm. Por është në një zonë të rrezikshme, një humbje të dërgon përsëri aty ku ishte. Gjithsesi, mendoj se ka nisur të zotërojë skuadrën. Tani është skuadra që po shkon pas trajnerit”.