2 me 1 në favor të bardhebluve ka përfunduar sfida, Tirana-Teuta, e luajtur mbrëmjen e së dieles në stadiumin “Air Albania”. Një fitore shumë e rëndësishme e Tiranës që vazhdon të mbajë me meritë kryesimin e kampionatit, dhe nga ana tjetër një humbje e Teutës, por për hirë të realitetit me një lojë cilësore të demonstruar në fushë. Në përfundim të ndeshjes, gjatë prononcimit në Supersport, trajnerët kundërshtarë, Orges Shehi dhe Edi Martini analizuar ndeshjen dhe skuadrat e tyre.
Orges Shehi(Trajner i Tiranes):
“Ishte ndeshje mes dy rivalëve. Dy skuadra që janë rivale. Luanim ndaj kampionëve të vjetshëm, që edhe pse me më pak pikë, kanë cilësi. Kishim raste të dy skuadrat, në rastet në disfavor mund të ishim më të qartë për të mos i dhënë mundësi kundërshtareve tonë. Jemi të kënaqur, se vijmë pas një jave jo të mirë se nuk dhamë atë që kemi në Laç. Është një fitore shumë e rëndësishme. Kemi ndryshuar në disa individë dhe modul. Në këtë ndeshje ishim me modul tjetër, synuam të goditnim kundërshtarin në thellësi. Ngo nuk është në 100% ndaj menduam ta fillonim kështu. Tre ndërrimet ishin të detyruara. Gjumsi e Taulanti kishin shqetësime, Xhixhën kisha frikë ta lija se vinte pas një periudhe të gjatë. Vetëm ndërrimi i Totres ishte aktivizimi i një force më shumë në aspektin mbrojtës. Ishim të detyruar. Totre është një lojtar që kemi afruar dhe dimë cilësitë e tij, nuk besoj se ka diçka të vërtetë. Ka dy vite kontratë me ne. Janë zëra dhe nuk besoj se ne do të prishim objektivat tona për të larguar në lojtar të rëndësishëm për ne. “Kampionati është i gjatë, nuk është mbyllur ende gjysma, ndaj mendoj se edhe Teuta e Partizani që janë larg nuk heqin dorë nga objektivat, titulli e Europa. Duke pasur parasysh që ka shumë pikë në lojë, nuk mendoj se ndonjë është jashtë gare. Në lidhje me opinionin tim për Majkëll Ngo, ju e dini, që Ngo është pika jonë e referimit. Jemi njerëz sporti, ka momente që nuk je mirë e momente të tjera po. Duhet të shohësh fillimin e rrjedhjes, nuk duhet t’ia faturojmë Majkëllit kur humbasim. Ai është i rëndësishëm për ne, si e nis nga stoli, si nga fillimi, pak rëndësi ka.”
Edi Martini(Trajner i Teutes):
“Që nga fillimi i kampionatit kjo ka qenë ndeshja më e mirë e ekipit, kur shpërdoron shumë raste e pëson. Luajtëm në Tiranë por dalloheshim që ishim kampionë, kontrolluam shumicën e lojës dhe humbëm raste, u goditëm në kundërsulm. Është për t’u përgëzuar mënyra se si luajtën sot djemtë. Nuk kanë ndryshuar shumë gjëra në këto javë, janë të njëjtët lojtarë. E kam thënë që më vjen keq që ndërpritet kampionati se gjendja po rritet dhe besoj shumë te ata. Kualiteti në sulm para portës na mungon. Dy raste në të dy pjesët ishin flagrante, humbëm edhe raste të tjera. Kur krijon 5 raste, ndaj Tiranës janë shumë. Por kemi mbajtur topin e të vjen keq, ky është kualiteti, duhet me patjetër të rregullojmë diçka. Sa i përket titullit, pikët flasin, vështirësitë shihen, por besoj se mund të kapim formën dtë bëjmë 4-5 fitore si të tjerët. Skuadra që ishin shumë pikë pas, bënë fitore radhazi dhe sot janë ku janë. Objektivi është i vështirë, jo vetëm me diferencë pikësh. Tirana ka kualitete, edhe Kukësi, Laçi apo Vllaznia që ka bërë një sezon të mirë . Në lidhje me merkaton, mund të them se sa të mbarojmë këto ndeshje, kemi 2-3 emra të piketuar që mendojmë të afrojmë. E kuptoni që të luash me Aleksin në mbrojtje, të lëvizësh, ai kthehet në mbrojtje ku nuk është vendi i tij më i mirë. Të gjithë sforcimet duhet t’i riparojmë në fazën tjetër. Blerjet e përforcimet që kemi pritur nuk na kanë dhënë pritshmërinë që kemi pasur”.