E nisur dje me çiftin, Erzeni-Dinamo, takim ky i fituar nga shijakasit me rezultatin 2 me 1, java e katërt e kategorisë Superiore të futbollit shqiptar vijon me dy takime të tjera.
Kukësi-Tirana është dueli i parë, i cili do të luhet në stadiumin “Kukës Arena” duke nisur nga ora 16:00, me verilindorët që kërkojnë fitoren e parë në kampionat dhe bardheblutë nga kryeqyteti që do të këmbëngullin të marrin tre pikët e plota dhe të mbajnë kreun e tabelës së klasifikimit.
Një tjetër skuadër kryeqytetase luan sot për llogari të javës së katërt të Superiores. Partizani kampion në fuqi pret në fushën e tij Egnatian simpatike, fituese e Kupës së Shqipërisë, në një tip “Superkupe”. Dy skuadra këto që gëzojnë një formë të mirë sportive, çka garanton spektaklin në fushën e lojës. Përballja, Partizani-Egnatia luhet në orën 18:30.
Dy sfida e fundit të javës së katërt të Superiores janë planifikuar të luhen nesër. Në stadiumin e Laçit, kurbinasit presin Vllazninë, komshinë veriore, në një duel që pritet të jetë interesant, pasi të dyja skuadrat kërkojnë pikët e plota. Ndërkohë që Teuta pret Skënderbeun, ndeshje këto që nisin që të dyja në orën 15:00