Egnatia superfavorite, do të synojë të barazohet me Kukësin për trofetë e fituar
Futbolli shqiptar do ta mbyllë vitin 2024 me ndeshjen e Superkupës, midis Egnatias dhe Kukësit. Kampionët janë superfavoritë ndaj skuadrës që lufton për mbijetesë në Kategorinë e Parë dhe do të synojnë të barazohen me trofe pikërisht me verilindorët.
Fundi i kësaj jave do të ofrojë edhe ndeshjet e fundit për këtë vit në Abissnet Superiore dhe në Kategorinë e Parë, por futbolli shqiptar do të japë edhe një tjetër trofe para se të nisë pushimet e dimrit. Të enjten, më 26 dhjetor, do të luhet finalja e Superkupës, midis Egnatias dhe Kukësit, dy skuadrat që më 14 maj u përballën edhe në finalen e Kupës së Shqipërisë në Arenën Kombëtare në Tiranë, ku do të luhet edhe ndeshja e së enjtes, e cila do të transmetohet direkt në Radio Televizionin Shqiptar.
Egnatia, fituese për herë të parë e titullit kampion, arriti të mbronte me sukses edhe trofeun që e kishte fituar një vit më herët, Kupën e Shqipërisë, me fitoren 1-0. Me marrjen për herë të dytë radhazi të Kupës së Shqipërisë, Egnatia u barazua pikërisht me Kukësin për titujt kampion dhe Kupat. Secila ka fituar titull e dy Kupa, por skuadra verilindore ka fituar edhe një Superkupë, më 2016, gjë që Egnatia synon ta bëjë për herë të parë më 26 dhjetor.
Ashtu si në finalen e 14 majit, Egnatia shkon si superfavorite edhe në Superkupë. Atëherë sapo ishte kurorëzuar kampione, ndërsa Kukësi ishte rrëzuar në Kategorinë e Parë dhe nga skuadra ka pasur eksod lojtarësh.
Aktualisht, Egnatia vazhdon të jetë një ndër pretendentet për titull, ndërsa Kukësi është vetëm një pikë mbi zonën e ftohtë në Kategorinë e Parë, edhe pse matematikisht është në lojë edhe për një vend në play-off për t’u rikthyer në Superiore. Një finale në kushte të pabarabarta ajo e Superkupës, megjithatë finalja e luftuar e 14 majit jep shpresa për një takim dinjtoz për ta mbyllur sa më mirë vitin futbollistik në Shqipëri.