Bilanci i dy ekipeve të Vllaznisë në basketboll femra dhe meshkuj, për javën e tretë të Kampionatit Kombëtar të basketbollit, është një fitore dhe një humbje. Kalendari i FSHF-së i kishte vendosur ato të luajnë në transfertë, femrat në Elbasan dhe meshkujt në Kamzë.
Fitorja i përket ekipit të femrave, i cili nën drejtimin e trajnerit Bledar Gjeçaj ka mundur me shifrat e thella Elbasanin, me rezultatin, 31-89. Dashja, Mustafa, Hykaj, Reshpja, Kryeziu, Bokrina, Musaja, Mekuli, Dibra, Murçaj, Cekaj, ishin protagonistet e kësaj fitoreve me diference prej 58 pikësh në favor të Vllaznisë.
Rekordi i kësaj përballje është vendosur në periodën e parë, kur skuadra vendase ka shënuar vetem 2 pikë ndaj 32 të Vllaznisë. Ndërkohë, që në tre periodat e tjera, shifrat janë 16-23, 6-16 dhe 7-18, që të gjitha në favor të Vllaznisë.
Gjithësesi, edhe pse fitorja është e thellë dhe e merituar ndaj Elbasanit, pozita e Vllaznisë në tabelën e klasifikimit nuk është aspak e mirë, pasi vajzat kuqeblu renditen në vendin e parafundit të klasifikimit me 3 pikë, po aq sa ka edhe Barleti i vendit të fundit. Ndërkohë që në krye është Partizani me 5 pikë i ndjekur nga Tirana, Flamurtari, Studenti dhe Elbasani me 4 pikë.
Sa i përket ekipit të basketbollit për meshkuj, skuadra e drejtuar nga trajneri Damian Bekteshi vazhdon të mos ketë asnjë reagim pozitiv. Pas dy humbjeve të para, me Apoloninë në Shkodër dhe Besëlidhjen në transfertë, skuadra kuqeblu është mundur edhe në javën e tretë të kampionatit.
Këtë radhë humbja është pësuar në pallatin e sportit të Kamzës, aty ku skuadra vendase e ka mundur Vllazninë me një rezultat shumë të thellë, me 58 pikë diferencë, 109-43.
Referuar ecurisë së takimit, të katër periodat janë dominuar nga skuadra vendase, 21-11 e para, 31-17 e dyta, 33-9 e treta dhe 24-6 e katërta. Ashtu si edhe në ndeshjet e tjera, skuadra kuqeblu është përfaqësuar në fushën e lojës me element fare të ri. Kuçi, Gjeçaj,Rakaj, Tahiraga, Memçaj, Bitri, Mbiara, Kopliku, Hafizi, Tinaj, janë aktivizuar në formacionin kuqeblu në përballjen me Kamzën. Pas javës së tretë, Vllaznia me tre humbje të pësuara renditet në vendin e fundit të tabelës së klasifikimit.