Vllaznia e koshit për meshkuj vuan prej kohësh sa i përket pozicionit të trajnerit. Ndonëse presidenca ka arritur të sjellë në Shkodër trajnerë të huaj, amerikanë, kroatë, malazez, boshnjak, etj, realisht gjërat nuk kanë shkuar mirë.
Së fundmi, në krye të Vllaznisë është një trajmer me emër dhe me shumë përvojë, si malazezi Nikola Milatoviç, i cili në fakt është shpallur kampion edhe me Teutën, por përsëri gjërat nuk po shkojnë aspak mirë.
Ndërkohë, në mesjavë, në Shkodër ishte mysafire Kamza, një skuadër modeste e ardhur nga kategoria e parë dhe po shkëlqen në Superligë. Kjo u pa edhe në përballjen me Vllazninë, një skuadër e mirëinvestuar me basketbollistë dhe trajner të huaj, kur e sfidoi në të gjitha drejtimet, me lojë dhe rezultat.
Në këtë mënyrë, duke parë dhe konstatuar që një shkodran si, Eni Llazani, konsiderohet si arkitekti i Kamzës, që nga një skuadër e kategorisë së parë, shfaqet në krye të renditje dhe pretendente për titull, me të drejtë, në Shkodër kanë të drejtë të mendojnë, nëse ky djalosh mund të jetë i denjë për stolin e Vllaznisë.
Një temë të tillë e ka trajtuar edhe media, e cila gjatë konferencës për shtyp, e ka ngacmuar Llazanin për një gjë të tillë. …”gjithmomë, shpresa, sytë dhe zemra, këtu janë, gjithmonë, të shohim, kemi kohë përpara, ….”
Një prononcim ky emocional i Eni Llazanit çka tregon qartë se mendja dhe zemra e tij janë për qytetin e lindjes. Janë për Shkodrën, për Vllazninë, aty ku ai dhe i ati, Korab Llazani, janë rritur me basketbollin duke i shërbyer maksimalisht ekipit kuqeblu.
E thënë qartë, që kandidatura e Eni Llazanit për të marrë drejtimin e Vllaznisë, aty është. Herët apo vonë, situatat mund të bëjnë realitet një bashkëpunim të mundshëm mes drejtuesve të klubit të basketbollit Vllaznia dhe vetë trajnerit Llazani.
(Video) Prononcimi i trajnerit të Kamzës, shkodranit Eni Llazani, pas fitores ndaj Vllaznisë, 85-99)