Besa U21-Vllaznia U21, 2-3(Shënues: Dabo Alphousseyni 64’,90’ /Gilman Agraja 34’, Geralb Kubazi 83’, 86’)
Java e parafundit e Kampionatit Kombëtar të futbollit për kategorinë e Superligës U21, regjistroi një fitore të rëndësishme për ekipin e Vllaznisë, teksa mundi në transfertë ekipin e Besës së Kavajës me rezultatin 2 me 3.
Skuadra e drejtuar nga trajneri Edmond Doçi e nisi mjaft mirë sfidën, teksa shënoi e para në minutën e 34-të me autor Gilman Agraja, gol që mbylli pjesën e parë në favor të kuqebluve me rezultatin 0 me 1.
Vendasit, arrijnë të barazojnë në minutën e 64-të me autor Dabo Alphousseyni duke e bërë ndeshjen edhe më interesante. Minutat në vazhdim shfaqin një lojë sulmuese nga të dyja skuadrat, të cilat kërkojnë fitoren tre pikëshe.
Tekniku kuqeblu Edmond Doçi, lëviz me stolin duke hedhur në fushë Geralb Kubazin, i cili me dy gola të njëpasnjëshëm në minutat e fundit të takimit, 83-të dhe 86-të i kthen avantazhin Vllaznisë në 1-3, ndërkohë që goli i vendasve realizuar në minutën e 90-të nga i njëjti futbollist, Alphousseyni, ka vleren vetëm të ngushtimit të rezultatit, sepse i gjithë takimi fitohet ng Vllaznia me rezultatin 2-3.
Kur duhen edhe 90-të minutat e javës së fundit për të mbyllur Kampionatin e Superligës U21, kryeson Apolonia e Fierit, e cila, një javë para përfundimit të kampionatit ka siguruar fitimin e titullit kampion për këtë kategori moshash duke qënë e pakapshme nga Bylisi i vendit të dytë me 45 pikë.
Ndërkohë, vendi i tretë dhe i katërt ndahet nga Vora dhe Vllaznia, përkatësisht me 41 dhe 40 pikë. Pozicion ky, që në varësi të ndeshjeve të javës së fundit, edhe mund të ndryshojë duke i ngjitur kuqeblutë në vendin e tretë, gjithnjë nëse arrijnë ta mbyllin me fitore ndeshjen e fundit që do ta luajnë kundër Tiranës në Shkodër.