Superliga U21-Vllaznia mund thellësisht Erzenin 5-1. Vendosin 3 golat e Delajt dhe nga 1 të Agrasë dhe Danajt. Kuqeblutë të dytët me 27 pikë, pas Vorës që kryeson me 28 pikë

Vllaznia U21-Erzeni U21,  5-1(Shënues: Antonio Delaj 1’, 43’, 52’, Gilman Agraja 75’, Enis Danaj 82’/Ergi Brahja 24’)

Formacioni i Vllaznisë U21: Alevio Ndoja, Ensar Tafili, Dritmir Beci, Antonio Delaj, Ernest Habrepi, Melos Bajrami, Nihat Kakini, Arval Maliqi, Enes Gallube, Gilman Agraja, Amir Brahimi(U aktivizuan: Ergis Çelepija, Eris Kallamoqi, Enis Danaj)

Tre gola të Antonio Delajt, dhe nga një i Gilman Agrasë dhe Enis Danajt, i kanë dhënë fitoren Vllaznisë U21 në sfidën e luajtur përballë Erzenit të Shijakut. Ndeshja e luajtur të martën në stadiumin “Reshit Rusi” të Shkodrës, e vlefshme për javën e 12-të të Kampionatit Kombëtar të Superligës së 21 vjeçarëve ka nisur me gol, kur që në aksionin e parë të skuadrës kuqeblu Antonio Delaj tund rrjetën e portës mike.

Djemtë kuqeblu të drejtuar nga trajneri Edmond Doçi vazhdojnë të luajnë mirë edhe në minutat në vazhdim, por kur pritej goli i dytë i Vllaznisë, janë shijakasit e drejtuar nga trajneri Luga që barazojnë në minutën e 24-të me autor Ergi Brahja.

Megjithatë, për të mbyllur pjesën e parë me fitore mendon përsëri Antonio Delaj, i cili me golin e shënuar në minutën e 43-të e çon Vllazninë U21 në dhomat e zhveshjes për pushimin mes dy pjesëve me avantazhin 2-1.

Shtatë minuta nga nisja e pjesës së dytë, në skenë del përsëri Antonio Delaj, i cili tund për të tretën herë portën kundërshtare. 3 me 1 për Vllazninë U21, e cila me qetësinë e këtij avantazhi vazhdon ta administrojë takimin, madje në të 75-tën, është Gilman Agraja që me golin e tij e thellon avantazhin kuqeblu në 4 me 1.

Për të mbyllur të gjithë ndeshjen mendon Enis Danaj, i cili në minutën e 82-të regjistron golin e pestë për skuadrën kuqeblu duke bërë që e gjithë ndeshja të mbyllet me fitoren e merituar të Vllaznisë 5 me 1.

Me këtë tre pikësh, Vllaznia ngjitet në kuotën e 27 pikëve duke mbajtur vendin e dytë në klasifikim pas Vorës që kryeson renditjen me 28 pikë, e cila sot fitoi në transfertë me Egnatian 0-1.

Në vend të tretë është Bylis me pikë të barabarta me Vllazninë e vendit të dytë, i cili edhe ai nga ana e tij, fitoi në transfertë me Teutën 0-2.

Rezultatet e Superligës U21, java e 12-të

Vllaznia-Erzeni 5-1

Teuta-Bylis 0-2

Tirana-AF Elbasani 3-0

Egnatia-Vora 0-1

Gaspër MARKU

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu