Një ditë më parë, një delegacion i zgjeruar sportiv nga Kosova ishte i pranishëm në qytetin verior për të festuar me shkodranët 104 vjetorin e themelimit të Shoqërisë Kulturore Sportive Vllaznia, e para e këtij lloji në Shqipëri. Bëhet fjalë për veteranët e futbollit të Ferizajt, të cilët zhvilluan edhe një ndeshje miqësore me veteranët e futbollit të Vllaznisë, takim ky që u mbyll me fitoren 6-5 nga Vllaznia.
Ndërkohë, mëngjesin e sotëm, KF Vllaznia, uroi Kosovën për festën e Pavarisë përmes një postimi në faqen zyrtare FB, duke publikuar një kartolinë me portretet e shtatë futbollistëve kosovare që luajnë për ngjyrat kuqeblu: Sara Maliqi, Arbenita Curraj, Gresa Berisha e Jehona Shala, në futbollin e femrave, dhe Liridon Latifi, Esat Mala dhe Lorik Boshnjaku tek meshkujt.
Por, surpriza më e bukur vjen nga tifozëria shkodrane, e cila ka udhëtuar sot drejt Kosovës për të festuar me miqtë e tyre, 15 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosonës.
Siç shikohen edhe në foto, janë rrethë 20 tifozë nga brezi i vjetër i tifozëve kuqblu, të cilët me veshjet e tyre karakteristike kuqeblu, si dhe flamujt e Shqipërisë dhe Kosovës, i janë bashkangjitur aktiviteteve kosovare në kuadrin e kësaj feste.
Urime Kosovë, e gëzofsh 15 vjetorin e Pavarësisë!