Egnatia barazoi pa gola ndaj Vllaznisë në gjysmëfinalen e “Final Four”, duke siguruar kualifikimin në finalen e madhe të titullit kampion. Pas ndeshjes, trajneri i Egnatias, Edlir Tetova, u shpreh për MCN TV:
“E kishim përgatitur ndeshjen për ta sulmuar Vllazninë, sepse pastaj ishte vështirë ta ktheje rezultate. Në 20 minutat e para ishim mirë, në 20 minutat e dyta toleruam pak, pastaj u kthyem në ekuilibër në pjesën e dytë.
I kërkova skuadrës të mos nxitonte te qarkullimi i topit, Vllaznia nuk po na vinte shumë në presion, dozat e emocionit janë shumë të forta te këto ndeshje.
U munduam që Fangaj të luante nga brenda që t’i jepnim Montenegros hapësirë, por nuk ndodhi, kishte lodhje. Në pjesën e sulmit është i vetmi sulmues që kemi momentalisht dhe ishim të detyruar ta mbanim në fushë.
Nuk mendoj fare për presion në këtë 90 minutësh, iu kërkova çunave të luanin, ta shijonin ndeshjen dhe të kënaqeshin dhe kështu ndodhi. Ndaj Partizanit do të jetë ndeshje e kundërt, Vllaznia bën ndeshje të hapura, do të jetë një finale për t’u shijuar nga të gjithë. Dozat e gëzimit janë, nuk është se morëm një trofe, por kjo është natyra ime”, u shpreh Tetova.