Tetova: “Na vjen keq, por është lojë gabimesh, me një lojtar më pak nuk morëm atë që deshëm”

Egnatia humbi me rezultatin 1-0 ndaj Vllaznisë në Rrogozhinë, ndeshje e vlefshme për javën e 33-të të Abissnet Superiore. Pas përfundimit të ndeshjes trajneri Edlir Tetova u shpreh:

“Një karton në minutën e 8 normalisht të prish ekuilibrat. Por për atë që treguan çunat në pjesën e dytë, dua t’i përgëzoj nga i pari te i fundit, për shpirtin që nuk u dorëzuan. U prishën ekuilibrat në 45 minutat e para se në pjesën e dytë mendoj që loja ka qenë e barabartë.

Ne, deri në momentet e fundit kemi qenë vetëm me Ndrecën, ai po vuan dëmtimin dhe ishim sot të detyruar të çonim Xhemajlin aty. Janë situata që tani nuk kemi si ndërhyjmë se me largimet e lojtarëve kanë qenë edhe me dëshirën e tyre, jo vetëm me dëshirën e klubit, Musta dhe Memolla. Musta u largua nga futbolli, ndërsa Memolla kërkonte minutazhin.

Mendoj që lodhja ndikoi shumë pak, sepse në pjesën e dytë, ndërrimet bënë diferencën të paktën për të shkuar drejt portës, por pa goditur dhe efikasitet në sulm.

Është gol që merret, është gol i lehtë, mund të ishte i evitueshëm. Na vjen keq, por është lojë gabimesh, janë njerëzore.

Xhemajli? Mendoj se një mbrojtës mund të hyjë në ato duele, mund të ndodhë. Por po thosha për intensitetin e ndërhyrjes, është me kavilje të përthyer, është shtrirë lojtari dhe është me këmbën në tokë. Megjithatë, arbitrat e kanë parë ashtu. Po të them që çdo gjë që nuk ka intensitetin 100% goditje, nuk është karton i kuq.

E sakrifikuam Aleksin në krahun e majtë sepse nuk kishim një mbrojtës të mirëfilltë, plus që edhe mesfushorin që mund të gjente vendin e Aleksit, Alesion e kishim me 4 kartonë dhe ishim të detyruar ta bënim pjesën e parë, deri sa të kisha djemtë në dhomat e zhveshjes që ti them se çfarë duhet të bënim në pjesën e dytë. Sistemet u ndryshuan. Besoj se ne u përshtatëm shumë mirë me sistemet që vendosëm në pjesën e dytë dhe ishim shumë afër të barazonim lojën. Futbolli ky është, me një lojtar më pak nuk morëm atë që deshëm”,– tha Tetova për “MCN”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu