Teuta, fitore me aromë “Final 4” në kryeqytet. Tirana mbetet e parafundit në renditje, por nëse Flamurtari merr pikë ndaj Partizanit, fundoset krejt në fund të renditjes.
Një gol i shënuar nga Maçolli nga pika e bardhë e penalltisë, ka vulosur fatin e sfidës Tirana-Teuta, ndeshje e luajtur pasditen e sotme në stadiumin “Selam Stërmasi” të kryeqytetit.
Durrsakët fitojnë 1-0 në kryeqytet, marrin 3 pikë që i afrojnë me zonën “Final 4” dhe komplikojnë situatën e bardhebluve në klasifikim.
Pjesa e parë ka qenë me ritëm, por asnjë nga skuadrat nuk ka arritur që të gjejë rrugën e rrjetës. Miqtë luajnë më mirë në pjesën e dytë, por traversa dhe shtyllë i mohojnë Teutës golin e avantazhit.
Në minutën e 84-t ndodh episodi që vendos fatin e ndeshjes. Teuta pretendon penallti, por gjyqtari Cjapi vazhdon lojën. Pas verifikimit në VAR, arbitri ndryshon mendim dhe akordon 11-metërsh. Maçolli tregohet saktë nga pika e bardhë e penalltisë dhe shënon golin që vendos fatin e këtij takimi.
Teuta fiton 1-0 dhe ngjitet në kuotën e 33 pikëve në klasifikim, 3 pikë larg zonës “Final 4”. Komplikohet situata e Tiranës pas kësaj humbjeje, e dyta radhazi në kampionat. Bardheblutë mbetet në kuotën e 21 pikëve në klasifikim, aktualisht në vendin e parafundit.



