Ora 16.45 e pasdites së sotme ballafaqon në stadiumin “Loro Boriçi”, Vllazninë vendase dhe Teutën mysafire. Bregdetarët që tashmë pas largimit të shkodranit Edi Martini drejtohen nga ish kapiteni i tyre, Renato Arapi, edhe pse kanë lëshuar shumë në kampionat, vijnë në Shkodër me një moral të lartë, pasi në mesjavë u kualifikuan në gjysëmfinalet e Kupës së Shqipërisë.
Për sfidën e sotme, e cila konsiderohet edhe më e forta e javës së 20-të të Superiores, tekniku Arapi ka në dispozicion të gjithë grupin. Përjashtim bën vetem mesfushori Asion Daja, të cilit i duhet të vuajë kartonin e kuq marrë në sfidën kundër Partizanit.
Nisur edhe nga ajo që Arapi ka praktikuar në seancën e fundit anti-Vllaznia, Teuta pritet ta nisë ndeshjen sot me këtë formacion: Qirko, Todorovksi, Qaqi, Ivanoviç, Kotobelli, Aleksi, Avdyli, Akua, E.Vila, Hebaj e L.Vila.