Teuta-Vllaznia 1-1(Shënues: Marjo Beshiraj 90+7’ Esat Mala 24-t)
Ashtu siç pritej, sfida mes Teutës dhe Vllaznisë, takim ky i luajtur mbrëmjen e së dielës në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit u shoqërua me një luftë të fortë sportive, që nga minuta e parë dhe deri në sekondat e fundit të kohës shtesë që zgjati mbi shtatë minutëshin e akorduar nga arbitri Xhaja.
45 minutat e parë ishin tërësisht të Vllaznisë, e cila për hirë të së vertetës, me atë ritëm sulmues nga të gjitha krahët, e shndërroi në spektakël lojën e saj.
Padyshim që goli i shënuar nga prizrenasi Esat Mala në minutën e 24-t ishte kulmi i Vllaznisë, por skuadra kuqeblu pati edhe kulme të tjera, sidomos në këtë pjesë të parë loje, ku me me rastet e paraqituara mund ta vriste ndeshjen edhe me një gol të dytë apo edhe të tretë.
Ndërkohë, pjesa e dytë në fushë u pa një Teuta tjetër, e cila duke e rritur maksimalisht volumin e lojës së saj krijoi më shumë presion në portën e Vllaznisë duke ngulmuar në golin e barazimit.
Me aktivizimin e Bismark, për vetë disa shkëndija që dha në zonën kundërshtare, u duk se Vllaznia po rimerr terren, por ganeze, ashtu si edhe Kallaku lënë fushën e lojës të dëmtuar.
Më pas, tre minuta nga fundi, vjen edhe një karton i kuq në dëm të mbrojtësit të Vllaznisë Erdenis Gurishta që e rëndon më shumë situatën tek kuqeblu.
Megjithatë, edhe pse duhet pranuar ngulmimi i Teutës, ishte i riu i talentuar Ensar Tafili që me atë gjuajtje mjeshtrore gati-gati e mbylli ndehsjen, por Selmani i thotë “jo” me atë pronzhon po aq mjeshtror.
Minutat shtesë janë më dramatikët, kur pikërisht në limit të kohësh shtesë prej shtatë minutash, nxjerrin në dritë golin durrsak të finalizuar nga Marjo Beshiraj.
Por, përpos atij entuziasmi durrsak në fushë dhe shkallët e stadiumit “Niko Dovana”, analiza disaminutëshe e sistemit VAR për aksionin e golit të barazimit la në ankth të dy palët, durrsakët që prisnin konfirmimin e golit të barazimit dhe kuqeblutë që shpresonin një vendim tjetër të anulimit të golit.
Në ato dy minuta që gjyqtari Xhaja i la jetë takimit, të dyja skuadrat e kërkuar golin e avantazhit, por pa ia arritur qëllimit duke fiksuar një barazim 1 me 1, që më shumë gëzoi durrsakët dhe nga ana tjetër, keqardhje për kuqeblutë që i iku nga duart marrja e një tre pikëshi të radhës që i kishte krejt në dorë.



