Teuta-Vllaznia është një nga sfidat e javës së 23-të të Superiores, duel ky që do të luhet ditën e sotme në orën 16:30. Takim shumë i rëndësishëm për objektivat e ekipeve në rrugëtimin e tyre në Superiore.
Si durrsakët ashtu edhe shkodranët në këtë sfidë vijnë pas humbjeve,ndërsa do të tentojnë të rikthehen te fitorja në kampionat. Pavarësisht momentin që po kalojnë në Superiore,statistikat e përballjeve direkte tregojnë se Vllaznia e Tomas Brdariç është favorite.
Kjo pasi në 10 ndeshjet e fundit mes tyre, shkodranët ia kanë dalë të triumfojnë 7 herë, teksa 3 sfida kanë përfunduar në barazim. Kjo do të thotë që “Djemtë e Detit” nuk e njohin fitoren prej vitesh përballë kuqebluve dhe për të parë një triumf të tyre duhet të kthehemi thuajse 4 vite pas.
Më 28 tetor 2021 është fitorja e fundit e Teutës përballë Vllaznisë. Në atë sfidë të zhvilluar po në “Niko Dovana”,durrsakët do të triumfonin 3-0,ku golat e Albano Aleksit,Sebino Plakut dhe Ildi Grudës do t’i jepnin 3 pikët durrsakëve. Ironi e fatit është se Ildi Gruda tashmë mban veshur fanellën e shkodranëve.
Fatos LAMAJ