Prej disa ditësh në Shoqatën e Basketbollit Vllaznia ka pasur probleme në lidhje me ekipin e basketbollit të rritura si dhe basketbollin e të rinjëve U20. Konkretisht, tre prej basketbollisteve kuqeblu, Anisa Bokrine, Anisa Musaja dhe Sara Murçaj, të pakënaqura për trajtimin që i bëhet në aspektin financiar kanë bojkotuar seancat stërvitore dhe po ashtu edhe ndeshjen e fundit zyrtare, Vllaznia-Flamurtari, ku skuadra kuqeblu e drejtuar nga trajnerja Medina Mustafa e humbi me rezultat të thellë 50-77. Një tjetër problem ka qënë edhe në ekipin e basketbollit U-20 për djem, ku trajneri Kristian Koqeku ka dhënë dorëheqjen për mungesë kushtesh stërvitore.
Tre basketbollistet femra dhe trajneri i të rinjëve Koqeku, kanë qënë në pritje të një reagimi pozitiv nga drejtuesit e shoqatës së basketbollit Vllaznia dhe Bashkia Shkodër, nuk ka pasur asnjë lëvizje në këtë drejtim.
Ndërkohë që pritej një zbutje e klimës në fjalë dhe vajzat e basketbollit t’i riktheheshin stërvitjes, ka ndodhur e kundërta, madje basketbollistet ën fjalë e kanë thelluar akoma më shumë hendekun me drejtuesit duke dalë me një deklaratë publike për problemin që i shqetëson.
DEKLARATA PËR MEDIA
Ne, si tre nga lojtarët e ekipit të basketbollit të Vllaznisë, ndjejmë nevojën të shprehim shqetësimin tonë lidhur me situatën financiare që po përjetojmë. Pavarësisht përkushtimit tonë maksimal për të përfaqësuar me dinjitet qytetin e Shkodrës dhe klubin me emër të madh si Vllaznia, dietat tona nuk janë shpërblyer në mënyrën e duhur dhe në kohën e duhur.
Kjo situatë po ndikon jo vetëm në mirëqenien tonë personale, por edhe në motivimin dhe performancën tonë brenda fushës së lojës. Ne nuk kërkojmë asgjë më shumë sesa respekt për punën dhe përpjekjet që bëjmë çdo ditë për këtë klub.
Ne shpresojmë që drejtuesit e klubit me president Sokol Dibra të marrin masat e duhura për të zgjidhur këtë situatë dhe për të siguruar një trajtim të drejtë dhe dinjitoz për ne. Kjo është jetike jo vetëm për të ardhmen tonë si lojtarë, por edhe për suksesin dhe imazhin e klubit në tërësi.
Me respekt,
Anisa Bokrina
Anisa Musaja
Sara Murcaj
Lojtare të ekipit të basketbollit Vllaznia