Në prag të klasikes së futbollit shqiptar Vllaznia-Tirana, nesër në orën 16:45, në stadiumin “Loro Boriçi”, e vlefshme për javën e 25-të në Kategorinë Superiore, grupi i tifozëve të Vllaznisë “Ultras” i kanë bërë thirrje qytetarëve shkodranë që të jenë sa më shumë prezent në stadium për të mbështetur skuadrën e zemrës.
Grupi i tifozërisë shkodrane, që në çdo ndeshje pozicionohen në tribunën C5, kanë kërkuar të mbështesin skuadrën në këtë ndeshje kaq të rëndësishme dhe të jenë superior kundrejt kundërshtarit. “Ultras për një ditë” është nisma e tyre e veçantë për këtë sfidë. Madje kanë sugjeruar dhe një “kod veshje” për ditën e nesërme. Veshja krejtësisht e zezë me një shall kuq e blu.
Interesi i tifozërisë shkodrane për këtë takim është shumë i madh dhe konsiderohet si arma më e fortë për të mundur Tiranën dhe për t’iu afruar në klasifimin e tabelës.