Tirana, 3 pikë mbijetese, vendos penalltia e Bajroviç. Skënderbeu zhytet në fund të renditjes

Tirana-Skënderbeu  1-0(Shënues: Bajroviç 85’)

Një penallti e fituar nga një 16 vjeçar si Serxho Vogli dhe shndërrimi i saj në gol nga Bajroviç, i dhanë fitoren Tiranës në përballjen e sotme ndaj Skënderbut. Një tre pikësh që arrihet të merret ndaj një kundërshtari direkt në tabelën e klasifikimit që ia forcon pozitat bardhebluve në reënditje larg zonës së “ftohtë” të rënies nga Superiorja.

Megjithatë, sfida në fjalë e luajtur në “Elbasan Arena”, ishte pak a shumë e barabartë dhe me lojë sulmuese nga ana e të dy skuadrave, të cilave vetëm fitorja i bënte punë.

Pas golit të avantazhit, korçarët bënë përpjekjet e duhura për të gjetur rrugën e golit, që të paktën të mos largoheshin pa një pikë nga “Elbasan Arena”. Por, as gjashtë minutat shtesë nuk i bënë punë bardhekuqve, pasi në përfundin vërshëllima përfundimtare e gjyqtarit kryesor  Klodian Prenga, rezultati është po ai i minutës së 85-të, 1 me 0 për Tiranën. Një fitore kjo, që krahas të tjerave, ka vlerë edhe për atë se u arrit me mungesa të shumta në formacion falë ndëshkimeve që skuadra bardheblu mori në derbin kryesytetas ndaj Partizanit.

E ndërsa, Tirana i gëzohet fitores duke shkuar në vendin e shtatë me 26 pikë, nga ana tjetër, në kampin korçar shtohen problemet, pasi me ketë humbje, Skënderbeu mbetet në kuotën e 20 pikëve duke u zhytur në fundin e renditjes.

Fatmir POPJA

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu