Tirana ka arritur një fitore mjaft të rëndësishme në javën e 28-të të “Abissnet Superiore”, 1-0 përballë Bylisit në një ndeshje që erdhi për shikuesit në ekranin e RTSH1.
Në “Selman Stërmasi” u zhvillua një pjesë e parë e dobët për të dyja skuadrat, ndërsa në të dytën ishte një tjetër pamje, me Bylisin që rrezikoi i pari, por u ndal nga shtylla. Tirana reagoi dhe arriti të gjejë rrugën e rrjetës me anë të Tabekou, i hedhur në fushën e lojës në pjesën e dytë, i zëvendësuar më pas për shkak dëmtimi.
Ballshiotët, në minutat në vazhdim, u përpoqën me të gjitha mënyrat, por u treguan të pasaktë në finalizim.
Tirana fiton 1-0, e para nën drejtimin e Orges Shehit, dhe ngjitet në kuotën e 24 pikëve duke mbajtur gjallë shpresat për mbijetesë.
Nga ana tjetër, Bylisi mbetet në kuotën e 27 pikëve.


