Sunday, November 24, 2024

Tirana mund Teutën dhe kryeson me meritë kampionatin pas Javës së 14-të

Lexo

Takimi i fundit që është luajtur të dielën dhe që ka ulur siparin e javës së 14-të të Kategorisë Superiore, ka qenë ai që u luajt në Stadiumin “Arena Kombëtare” në kryeqytet, midis Tiranës dhe Teutës. Pjesa e pare, kryesisht e baraspeshuar në gjysmën e parë të saj, me një epërsi të lehtë të miqve nga Durrësi, por, në të parën goditje në portën e Teutës, bardheblutë kryeqytetas gjejnë golin në minutën e 23-të, pas një goditje nga jashtë zone e Totres, që mposht gardianin Qirko.

Tirana ka marrë iniciativën në lojë pas shënimit të golit dhe fillimisht Seferi provon në minutën e 26-të, por pa e gjetur dot katërkëndorin, ndërsa 3 minuta më pas shërben për Xhixhën, që shpërdoron në mënyrë të pabesueshme edhe pse i vetëm përballë gardianit të portës durrsake. Teuta mund të kishte barazuar menjëherë më pas, pasi loja zhvendoset në portën tjetër dhe Gjorgiev përfiton nga një gabim i Gjumsit, por nuk gjen katërkëndorin e portës së Bekajt.

Ndërkaq, është sërish Seferi, i cili vonohet në goditje në minutën e 33-të, edhe pse në pozicion të volitshëm, ndërsa shpërdoron edhe Xhixha sërish, 3 minuta më vonë, teksa goditja e tij gjen Qirkon në pozicion. Minuta e fundit të kohës së rregullt do të sjellë një episod të diskutueshëm, teksa kryesori Laver Alla jep fillimisht një 11-metërsh në favor të Tiranës. Por, pas një konsultimi me dhomën e Sistemit të Ndihmësgjyqtarit të Videos (VAR), një konsultim që ka zgjatur plot 8 minuta, Alla e zhbën vendimin e tij dhe e mbyll pjesën e parë.

Pjesa e dytë nis me Teutën më kërkuese dhe, në minutën e 53-të, Gjorgiev gabon në mënyrë të pabesueshme para Bekajt, me goditjen e tij me kokë, duke dërguar topin jashtë. Dy minuta më pas, është Kallaku që depërton në krahun e djathtë dhe harkon topin në qendër, por Bekaj grushton dhe largon rrezikun nga porta e tij. Teuta vijon të këmbëngulë dhe, në minutën e 64-t, pas goditjes nga këndi, Akuah provon të godasë portën, por kthehet te Plaku dhe Vila, që praktikisht pengojnë njëri-tjetrin e më pas është Aleksi që godet, por e dërgon topin mbi shtyllën horizontale të vendasve.

Tirana përgjigjet menjëherë me kundërzbritjen e Totres, i cili shërben për Limajn, por ky i fundit godet pasaktësisht. Por bardheblutë do ta gjejnë golin e dytë 3 minuta më vonë, kur kundërsulmi i Xhixhës në krahun e djathtë gjen Seferin në shtyllën e dytë dhe sulmuesi thjesht ka për detyrë ta shtyjë topin në rrjetë. Sidoqoftë, Teuta nuk dorëzohet dhe në minutën e 70-të, Bekaj bën mrekullinë përballë Grudës.

Sulmuesi i Teutës merr një top në shtyllën e dytë dhe është i vetëm para Bekajt, por gardiani bardheblu i mohon golin me reflekset e tij. 7 minuta më pas, vjen një tjetër mundësi e artë për durrsakët që të rihapin ndeshjen, kur një top nga e djathta gjen Kallakun, i cili, i vetëm në hyrje të zonës ka mundësinë të gjuajë, por e dërgon topin mbi shtyllën horizontale të portës kryeqytetase.

Por këmbëngulja e Teutës shpërblehet 6 minuta para fundit, kur Gruda finalizon me sukses një pasim nga e djathta, duke përshëndetur rrjetën dhe duke i dhënë shpresë skuadrës së tij. Madje, në të 87-tën, vjen një tjetër tentativë e Kallakut nga jashtë zonës, teksa kapiteni i Teutës i afrohet golit të barazimit, por topi përfundon jashtë. Përtej 4 minutave shtesë, që shohin miqtë të provojnë deri në fund, Tirana e mbron fitoren deri në fund dhe mund Teutën 2-1, duke e ruajtur kreun e renditjes, tashmë në kuotën e 30 pikëve, ndërsa Teuta mbetet në kuotën e 18 pikëve.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img