Tirana e nisi me një fitore në Laç vitin 2023. Dueli i luajtur në Kurbin, përfundoi me suksesin 1-2 të bardhebluve të Orges Shehit.
Bardhezinjtë e nisën shumë mirë ndeshjen, kaluan në avantazh në minutën e dytë me anë të Vasil Shkurtajt, me sulmuesin vlonjat që humbi një shans të artë për të dyfishuar në minutën e 21’, por nuk ia doli të dërgonte topin në rrjetë me portën e boshatisur.
Tirana reagoi dhe në minutat shtesë të fraksionit të parë barazoi sfidën falë golit të Bruno Lulajt (45+3’). Kampionët e nisën mirë edhe pjesën e dytë, me Florent Hasanin që realizoi një eurogol (47’).
Minuta të mira për ekipin kryeqytetas, por Mario Dajsinani mbajti në lojë Laçin me pritjet e tij. Vendasit tentuan barazimin, por nuk ia dolën të evitonin humbjen e dytë radhazi në kampionat.
Tirana rikthehet te fitorja pas dy humbjeve në Durres dhe në derbi, dhe tani numëron 28 pikë, një më pak se Partizani kryesues, që pret Vllazninë sot në kryeqytet. Bylisi dhe Kukësi ndanë nga një pikë pas barazimit 0-0.
Bylis dhe Kukësi nuk kanë arritur të gjejnë rrjetën në takimin mes tyre, duke mbyllur çdo gjë në shifrat e barabarta 0-0. Ekipet ndajnë nga 1 pikë që nuk gëzon shumë palët të cilat kërkonin maksimumin nga kjo sfidë për t’u larguar zonën së ftohtë, në fundin e tabelës.
Ndeshja ishte tepër e luftuar ku ekipet kishin rastet e tyre për të marrë fitoren, por gardianët mbajtën të paprekur rrjetat e tyre. Enea Jorgji nuk e kishte aspak të lehtë në ktë takim, pasi nxori nga xhepi 6 kartona të verdhë dhe 2 të kuq. Qoshku në minutën e 86’ dhe Barbosa në të 90’+1’ ishin dy të ndëshkuarit me të kuq në këtë takim.