Tirana mundi Vllazninë me rezultatin 1 me 0. Vendosi goli i kapitenit Batha në minutën e 74-t, në një ndeshje që për hirë të së vertetës Vllaznia e dominoi, por tre pikëshin e mori Tirana. Në prononcimet e dhëna pas ndeshjes, trajnerët kundërshtarë, Shehi dhe Brdariç dhanë opinionet e tyre.
Sipas teknikut bardheblu, Orges Shehi, një ish portjer i disa skuadrave të Superiores, përfshirë edhe Vllazninë, të cilën sot e mundi, fitorja e ka gëzuar, por përgjithësisht skuadra e tij nuk e ka kënaqur. “Është fitore që të shijon pasi luajtëm para kundërshtarit tonë rival. Në këtë moment duhet të mësojmë sesi të vuajmë. Nuk bëmë ashtu siç duhet, por kjo fitore të kënaq. Fitohet edhe kështu, tani kanë rëndësi pikët. Do të mundohemi edhe në këto 6 javë që të marrim maksimumin dhe të arrijmë atë objektivin për të kapur 67 pikë që mund të na çojnë tek fitimi i titullit kampion. Nuk ka ndeshje të lehta dhe duhet impenjim ndaj çdo kundërshtari”, u shpreh trajneri bardheblu, Orges Shehi.
Ndërkohë, për njëshin e pankinës kuqeblu, Tomas Brdariç, skuadra e drejtuar prej tij e bëri lojën e saj, por në futboll ndodhin edhe humbje të tilla. “Unë e kuptoj më mirë se të tjerët këtë rezultat se jam trajneri. Nuk ishte ditë me fat për Vllazninë, provuam me të gjitha mënyrat që ta fitonim. Kishim 3-4 shanse për të shënuar. Gjithmonë duhet të dimë se në futboll ka një Zot që ndonjëherë është për ty dhe ndonjëherë për mua. Sot nuk ishte për ne. Ne do të kthehemi në ndeshjen tjetër për të fituar dhe do të ecim përpara. Morali te ne është shumë i mirë dhe nuk duhet të harrojmë se çfarë ka ndodhur përgjatë kësaj rruge. Unë jam trajner që mbaj moralin dhe kur ekipi ka nevojë”, theksoi trajneri i Vllaznisë, Tomas Brdariç.