Monday, November 25, 2024

Trajneri i kombëtares U19, Armando Cungu, flet për prag miqësoret me Maltën. Objektivi: Testimi me elementët cilësorë dhe konsolidimi i grupit para Europianit

Lexo

Kombëtarja U-19 do të nisë në fillimjavë grumbullimin në kuadër të dy miqësoreve të muajit mars të programuara kundër Maltës. Trajneri i Shqipërisë U-19, Armando Cungu zbardhi këtë të shtunë edhe listën me emrat e 20 futbollistëve që do të grumbullohen për këto dy takime miqësore që do të zhvillohen në Maltë.

Sipas teknikut kuqezi, në këtë listë ka edhe shumë lojtarë të rinj, të cilët aktivizohen me klube të njohura jashtë vendit dhe stafi teknik mezi pret t’i shohë në aksion për të kuptuar vlerat e tyre. Janë plotë 13 lojtarë që vijnë nga jashtë të ftuar për t’u testuar në këto miqësore, që do të jenë mjaft të vlefshme për kuqezinjtë. Sakaq, Cungun zbulon se në këtë grumbullim do të mungojnë edhe disa lojtarë të cilët janë të dëmtuar e që nuk mund të ishin në këto dy miqësore.

“Lista është me shumë emra të rinj, lojtarë që i kemi seleksionuar në Gjermani apo edhe në grumbullimin e fundit 3-ditor. Kemi lojtarë që vijnë rishtas siç është Ervin Bashi i Milanit, Lindon Ajeti nga Standard Liege, të cilët aktivizohen me ekipe prestigjioze. Ne kemi kërkuar edhe lojtarë të tjerë, por për shkak dëmtimesh nuk mundën të ishin me ne. Sidoqoftë, është një listë me të cilën po tentojmë të vëmë bazat me elementë cilësorë, të cilët do të plotësojnë grupin për në vazhdimësi. Në të njëjtën kohë miqësoret na vlejnë, jo vetëm për të parë lojtarët, por edhe për të marrë rezultate pozitive”, – thotë Cungu në prononcimin e tij për Fshf.org.

Më tej, trajneri i Kombëtares U-19 thekson se çdo ndeshje apo grumbullim është shumë i rëndësishëm në përpjekjet për të konsoliduar sa më mirë skuadrën para pjesëmarrjes në kualifikueset e Euriopianit të ardhshëm.

“Çdo ndeshje, çdo grumbullim apo çdo miqësore vlejnë shumë për ekipin tonë për të konsoliduar grupin dhe për testuar lojtarë të rinj që vijnë për herë të parë në Kombëtaren U-19. Ndjej keqardhje për disa mungesa për shkak dëmtimesh, por ne do të mundohemi të bëjmë një ekip cilësor për Europianin që na pret në nëntor. Nëse do të kemi dëmtime sërish apo mungesa sigurisht që puna vështirësohet dhe na vonojnë krijimin e ekipit të duhur. Sidoqoftë në kushtet që jemi do të mundohemi të bëjmë më të mirën gjithmonë për Kombëtaren”, – shprehet Cungu.

Ndërkaq, trajneri kuqezi shpreson që shumë nga lojtarët e ftuar rishtas në skuadër të mund të jenë të vlefshëm për të qenë pjesë e ekipit edhe në vazhdimësi, veçanërisht ato që aktivizohen në kampionatet e huaja që në letër premtojnë shumë në perspektivë.

“Për lojtarët e kampionatit shqiptar ne i kemi tashmë idetë e qarta, por ajo që vlen për t’u theksuar janë lojtarët të cilët vijnë nga kampionatet e huaja nga klube prestigjioze dhe ky është fokusi ynë për të parë cilësitë e këtyre lojtarëve nëse janë elementët e duhur për të ndihmuar ekipin në të ardhmen. Këto ndeshje na vlejnë shumë në këtë aspekt, shpresojmë që në ndeshjet apo grumbullimet e tjera t’i kemi të gjithë lojtarët në dispozicion, që lojtarët të njihen mirë me njëri-tjetrin e të kuptohen në fushë. Shpresoj shumë që gjatë kësaj periudhe të përgatitemi sa më mirë dhe të krijojmë bazën e duhur të ekipit që do të na përfaqësojë në turneun zyrtar”, – deklaroi ndër të tjera Armando Cungu.

Kombëtarja U-19 do të niset të hënën në mëngjes drejt Maltës, ndërsa miqësorja e parë e kundër përfaqësueses malteze është planifikuar të zhvillohet më 23 mars në ora 11:30. Miqësorja tjetër është programuar të luhet tre ditë më vonë, më 26 mars në ora 11:00. Ndeshjet ndaj Maltës konsiderohen si shumë të rëndësishme për ekipin kombëtar U-19, në kuadër të përgatitjeve për eliminatoret e Kampionatit Europian për këtë grupmoshë.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img