Pas largimet për studime pasuniversitare të videoanalistit të KF Vllaznia, Xhoen Tugu, në pozicionin e tij klubi kuqeblu angazhoi ish futbollistin shkodran, Ergi Borshi, i cili prej dy sezonesh mban edhe detyrën e zv.trajnerit të ekipit Vllaznia U-21, por që më herët është diplomuar edhe në kursin e videoanalistit të organizuar nga FSHF.
Nga sa bëhet e ditur, duke preferuar të vijojë të jetë në terren si trajner futbolli, Borshi ka kërkuar mirëkuptimin e klubit për të lënë angazhimin e pozicionit të vedeoanalistit dhe të kthehet aty ku ishte më parë.
Në këto kushte, me vendin e mbetur bosh, përmes një njoftimi publik, klubi kuqeblu, bëri të ditur kërkesen zyrtare për zëvendësimin e këtij pozicioni. Kërkesë e cila, gjeti gatishmërinë e Ardit Manit, një figurë kjo sportive shumë e njohur në qytetin e Shkodrës, me një përvojë 10-vjeçare si trajner futbolli, mësues i edukimit fizik dhe drejtues i Akademisë Futbollit Shpresa, por i diplomuar edhe si videoanalist.
Ardit Mani ka përfundur studimet e larta në Universitetin e Sporteve në Shkodër, dhe përmbi 10 vite kryen detyrën e mësuesit të edukimit fizik në shkollat 9 vjeçare të qytetit të Shkodrës.
Si ish futbollist, pasionin për futbollin, Mani e vijoi në rolin e trajnerit, ku edhe është i licensuar me licensat e trajnerit C, B-UEFA. Eksperienca e tij e punës si trajner nis në vitin 2008 pranë ekipeve të moshave të Akademisë së Futbollit Shpresa-Shkodër, Akademi të cilën e ka formuar dhe e administron vetë personalisht. Ndërkohë që, në vijim ka kryer trajnime të ndryshme me Kurse shtese në fushën e futbollit, brenda dhe jashtë vendit.
Dhe, ajo që e bën të mundur bashkëpunimin me KF Vllaznia, ka të bëjë me faktin se Ardit Mani është licensuar edhe si video analist pranë FSHF-së në vitin 2020, dhe për këtë ka 2 vite që punon pranë ekipit të Tërbunit të Pukës në këtë detyrë.
Nga sa bëhet e ditur, pas dorëzimit të kërkesës së tij zyrtare pranë zyrave të KF Vllaznia, Ardit Mani është intervistuar nga drejtuesit kryesorë të KF Vllaznia, dhe me të gjitha gjasat, burimet pranë klubit kuqeblu bëjnë të ditur se do të jetë ai videoanalisti i ri i KF Vllaznia. Gjithësesi, vendimi zyrtar akoma nuk është zbardhur, dhe për këtë, do të jetë KF Vllaznia që do ta bëjë publike zyrtarisht.