Friday, September 20, 2024

(Video) Trajneri Silvinjo: Respekt për Gjeorgjinë, por ne nuk kemi frikë. Të martën, ora 20:45, në “Air Albania”-Liga e Kombeve

Lexo

Shqipëria luan nesër takimin e dytë të vlefshëm për Ligën e Kombeve ndaj Gjeorgjisë, në orën 20:45 në stadiumin kuqezi “Air Albania”. Pas fitores fantastike në “Epet Arena” ndaj Ukrainës kuqezinjtë do të kërkojnë rezultatin e radhës pozitiv, teksa trajneri Silvinjo dhe mesfushori Kristjan Asllani dolën pasditën e sotme në konferencën zyrtare për media.

Trajneri Silvinjo tregoi se atmosfera është shumë e mirë dhe të gjithë lojtarët do të jenë të gatshëm për sfidën e nesërme ndaj Gjeorgjisë. Përsa i përket kundërshtarit, tekniku kuqezi tha se Gjeorgjia është një skuadër shumë e fortë, por nënvizoi se Shqipëria do të futet në fushë për rezultat pozitiv.

Ndeshja me Gjeorgjinë? – E kam thënë edhe më parë që ky është një grup shumë i ekuilibruar dhe mund të ndodhë gjithçka. Ukraina është skuadër e mirë, po ashtu edhe Çekia është shumë e fortë.  Gjeorgjia është skuadër e përgatitur, fizike dhe teknike. Trajneri ka punuar shumë dhe ka një skuadër shumë të fortë. Të gjithë trajnerët e përgatitin ndeshjen për të fituar, edhe ne. Unë mendoj se nesër do të jetë një ndeshje shumë e bukur dhe stadiumi “Air Albania” do të jetë i mbushur plot. Gjeorgjia është një ekip i fortë, i organizuar, i vështirë. Do të duhet të ecim me 100 në orë nëse duam të bëjmë një paraqitje të bukur, do të jetë e rëndësishme.

Përgatitja për ndeshjen – Sa i përket ndeshjes së mëparshme, mund të bësh 5 zëvendësime apo 2. Unë e pashë që ekipi ishte mirë në fushë, erdhi momenti për të bërë dy zëvendësimet. Hoxha është shumë lojtar i mirë, i fortë fizikisht, edhe Berisha po ashtu. Për nesër nuk e dimë ende.  E vërtetë që nga një ndeshje në tjetrën ka pak kohë. Sot është praktikisht stërvitja e parë, duhet të shohim si janë lojtarët sot dhe nesër. Nesër në drekë vendosim me stafin dhe lojtarët.

Ndryshime të mundshme në formacion- Pak a shumë është e njëjta përgjigje si më parë. Duhet të shohim lojtarët. Koha është e shkurtër për të gjithë, kthehen nga transferta, dje kemi vetëm një seancë të shkurtër stërvitore në Pragë. Sot duhet parë se si janë lojtarët. Duhet folur, duhet parë stërvitja, por kemi 24 lojtarë dhe shumë të gatshëm për të shkuar në fushë. Nëse kuptojmë që një lojtar nuk është në 100%, e bëjmë ndryshimin, sot është ende herët, duhet të zhvillojmë gjërat dhe të marrim një vendim nesër në drekë.

Roli i Bajramit – Prej 1 viti e gjysëm, kemi filluar me Poloninë me skemën 4-3-3, Uzuni ka luajtur si sulmues krahu, tani është si sulmues qendror. E njëjta gjë me Bajramin, ka qenë në krah dhe është spostuar më pas në qendër. Kemi provuar skema të ndryshme. Me Bajramin në fushë, mund të aplikojmë dy skema. Do të vendosim në varësi të lojtarëve. Bajrami është më fleksibël dhe kërkon hapësira. Pas stërvitjes do të vendosim se si do të luajmë ndaj Gjeorgjisë.

Kundërshtari – Është bërë një punë e mirë nga stafi. Lojtarët e dinë që duhet të futen në fushë me shumë intensitet. Futbolli të konsumon energji. Dua të rikujtoj një shprehje të Klop: Nëse nuk bën gabime, nuk ke nevojë të kthehesh të mbrosh. Gjeorgjia ka bërë një Europian shumë të mirë, një ekip shumë i bukur, i harmonizuar dhe mendoj se do të bëjmë një lojë shumë të bukur kundër tyre.

Masat për Khvicha Kvaratskhelia  – “Sa i përket krahasimeve, te ajo nuk hyj. Ajo që mund të them është se bëhet fjalë për një lojtar shumë të madh, i fortë fizikisht, teknikisht i fortë. Çdo gjë që bën në fushë është e nivelit të lartë. Por përtej tij, kanë 4-5 lojtarë të shkëlqyer, nuk u them emrat se e kam të vështirë, por janë lojtarë që i shoh prej një muaji. Kanë në mesfushë, një sulmues, një mbrojtës krahu, janë lojtarë që shtyjnë shumë në fushë. Kanë lojtarë të nivelit teknik shumë të mirë. Kvaratskhelia është një lojtar klasi, është një kënaqësi të luash kundër këtyre, si kundër Polonisë kishim Leëandoëski e Zieliński. Është kënaqësi, edhe ne kemi lojtarë të rinj që ndoshta në të ardhmen mund të garojnë në këto nivele”.

Kundërshtarët në grup – I kemi parë, kemi punuar një muaj për Ukrainën dhe Gjeorgjinë. Gjeorgjia është e vetmja skuadër në këtë grup që shkuan në fazën me kualifikim direkt. Janë shumë të fortë, me lojtarë të rëndësishëm. Unë mendoj se ata po punojnë shumë mirë, komplimente trajnerit, lojtarëve dhe federatës. Edhe ne jemi në një rrugë të mirë, jemi rritur, kemi marr eksperiencë, flas për veten, lojtarët, stafin, njerëzit. Nesër kemi gjithçka për të bërë një ndeshje të mirë. Në një stadium të mbushur, për ne është një favor i madh, një stadium me njerëz që na mbështesin, por Gjeorgjia është një ekip i fortë. Megjithatë, ne do të jemi gati.

Manaj, Laçi dhe Ismajli spikatën ndaj Ukrainës – Futbolli është jetë dhe jeta është mundësi. E thashë që Gjimshiti nuk ishte në Europian në 2016, por 8 vite më vonë është lojtari i jashtëzakonshëm, i rëndësishëm dhe kapiteni i skuadrës. Në një intervistë, Carlo Ancelotti tha që lojtari mund të tërbohet me trajnerin për vendimin, por jo me mua si Carlo. Jam i lumtur me atë që kanë bërë në Europian lojtarët. Ishte grup i vështirë, po të mos ishim të përgatitur, do pësonim 10 gola. Por ne ishim aty, në lojë. Kemi bërë mirë, tani duhet të përmirësohemi, është gjithçka e hapur. Kombëtarja është e hapur, ne shohim shumë lojtarë, kemi sot Spahiun e Zekën. Ku ka shqiptarë, ne i shohim. Më pëlqen që lojtarët luftojnë për të marr vendin në formacion, në këtë mënyrë këtu vijnë më të mirët.

Dueli i fundit mes Gjeorgjisë dhe Shqipërisë – Është shumë e vështirë që të krahasosh ndeshjen e dy viteve më parë me situatën tani. Ka kaluar kohë, të dyja ekipet kanë ndryshuar shumë. Gjeorgjia është një skuadër shumë e përgatitur me një trajner shumë të mirë. Mund të them që do të jetë një ndeshje shumë e fortë. Nuk mund të bëjë një parashikim rezultati. Do të futemi në fushë për të bërë një ndeshje të mirë, besoj se do të jetë një ndeshje e bukur.

Rritja e Gjeorgjisë dhe triumfi ndaj Çekisë – E kam parë ndeshjen e Gjeorgjisë me Çekinë, ishte ndeshje e vështirë. Grupi është shumë i balancuar. Ekipi që fiton ka një lloj avantazhi të rëndësishmi. Ky është kompeticion shumë i vështirë. Çdo ndeshje që ka rezultate të mira, të afron më tepër me objektivin.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img