Prononcimi i trajnerit të Teutës, Enkelejd Dobi, pas humbjes në transfertë me Egnatian 4-2
“Mendoj se pak pas golit të dytë qe barazuam, disa detaje e momente duhej të ishim më të matur, të kishim më shumë pjekuri, në mënyrën e sjelljes, vendosjes dhe interpretimit të disa gjerave, se nuk ishte pjesa e dyte. Në të dytën çfarë ndodhi pas golit të tretë, u shpërthyem, kartoni i kuq, u hodhëm në sulm, morëm të katërtin e aty nuk i menaxhon më. Është gabim, duhet të jemi të matur, atë po i thosha Maçollit, të qëndrojmë deri në fund. Por mendoj se momenti delikat ishte fundi i pjesës së parë, treguam karakter që barazuam, gjysma e të keqes duhej ta nxirrnim barazim ndaj na dhemb se nuk ishim përgatitur për këtë humbje. Se kishim ardhur me plan të qartë, mënyrë loje e interpretim, u pa deri në minutën e 20 se kishim komplet kontrollin por Egnatia u tregua më e matur. Kjo bëri ndryshimin besoj. Po ta shohim edhe golin e katërt, pas kartonit të kuq, e humbëm pak djemtë, menaxhimi sado flisnim e komunikonim, goli i katërt erdhi, edhe pse ishim në ekuilibër.
Interpretimi është, ky është futbolli, kjo është jeta, duhet analizuar edhe më thellë. Në të nxehtë kartonin e kuq nuk e kuptoj fare, sado që pësojmë gol kemi gjithmonë mundësi, pres ta sqaroj nesër. Nuk duhet të ndodhë, sidomos kapiteni, një lojtar me eksperiencë, nuk e pranoj një karton të kuq. Sado situata, arbitri gabon, nuk duhet të dalim nga vetja, mentaliteti e kultura, duhet të tregojmë maturi, mençuri, e mbi të gjitha edukatë e kulturë.
Kemi luajtur me tre në mes të mesfushës, shiheni mirë, ndryshuam pak modelin tonë, dolëm 4-4-2 në pjesën e dytë, derisa kishim kontrollin pa ngrënë golin e parë e të dytin që na futi në siklet se ishte në sekondën e fundit, futesh në pushim me ndjesi tjetër, nuk ke vetëbesim. Secili i menaxhon vetë emocionet, por në pjesën e dytë shënuam 2-2, e humbëm me golin e tretë, aty duhej të ishim. Ishim 4 me 3 dhe dy lojtarë të Egnatias janë vetëm, aty duhen marrë përgjegjësitë. Këtu janë gabimet, futbolli është lojë gabimesh, sot u ndëshkuam se Egnatia ka më shumë eksperiencë, mos harrojmë në pjesën e parë ishim 1-1, kishim rastin e Dacit e Maçollit, do ndryshojmë shumë gjëra, por ky është futbolli.
Mendoj se në ato momente në fund njeriu duhet të gjejë ekuilibrin në vetvete, se futbolli është ndonjëherë i pamëshirshëm e i paparashikueshëm. Po mendoja shumë gjëra, nuk do fajësojmë Selmanin, është pjesë e lojës, por deri në atë moment Egnatia ishte inekzistente, me gjithë respektin që kam që është ekip kampion. Nuk është turp të humbësh por mënyra se si humb duhet parë e analizuar jashtëzakonisht, nuk them se kemi turp, por disa gjëra duhet t’i bëjmë më mirë. Ndonjëherë na mungon pjekuria, na mungon cilësia, nëse e marrim si situatë komplet, mendoj se më të pastrat i kishim ne, por në fund ndëshkohemi”, tha Dobi për RTSH pas ndeshjes.


