Tuesday, November 26, 2024

UEFA shqyrton kandidaturat, FSHF në garë për të sjellë në Shqipëri finalet e një Kampionati Europian!

Lexo

Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s do të shqyrtojë në mbledhjen e radhës së 26 shtatorit kandidaturat për organizimin e Kampionatit Europian U-17 për vitet 2025, 2026 dhe 2027 dhe Kampionatit Europian U-19 për vitet 2026 dhe 2027.

Federata Shqiptare e Futbollit është pjesë e kësaj gare të rëndësishme për të cilën ka dorëzuar aplikimet për organizimin e Kampionatit Europian U-17 për vitet 2025, 2026 dhe 2027 dhe Kampionatit Europian U-19 për vitet 2026 dhe 2027. Pjesë e kësaj gare janë dhe Federata nga vende të rëndësishme europiane.

Në aplikimin e dorëzuar nga Federata Shqiptare e Futbollit është parashikuar që ndeshjet të zhvillohen në “Air Albania Stadium”, “Elbasan Arena”, “Loro Boriçi” dhe “Arena Egnatia”. Këto stadiume do të presin ndeshjet e fazës së grupeve, ato gjysmëfinale dhe finalen e madhe. Gjithashtu për zhvillimin e një kompeticioni të tillë kërkohen 8 qendra stërvitore me fusha me bar natyral, të cilat do të jenë në aksin Tiranë-Durrës, kjo edhe për shkak të numrit të hoteleve me kushte specifike që kërkohen.

Shqipëria është kualifikuar nga Komisioni i Tenderimit si një vend që i ka të gjitha aftësitë, kapacitetet dhe plotëson kriteret për organizimin e një Kampionati Europian për moshat e reja. Ky është padiskutim suksesi parë, duke parë kriteret e larta që aplikohen në organizimin e kompeticioneve të tilla madhore me vëmendje dhe interes të madh ndërkombëtar.

Sigurimi i të drejtës për organizimin e një Kampionati Europian futbolli, nëse ky besim do t’i jepet nga UEFA në mbledhjen Komitetit Ekzekutiv javën e ardhshme, do të ishte padiskutim aktiviteti dhe ngjarja më e madhe sportive e organizuar ndonjëherë në Shqipëri dhe rajon. Organizimi i një Europiani tejkalon pa asnjë dyshim dhe organizimin e jashtëzakonshëm të finales historike të UEFA Conference League.

Për kompeticionet që ka aplikuar Federata Shqiptare e Futbollit do të jenë pjesëmarrëse 8 skuadra, duke sjellë në vendin tonë interes të madh mediash, tifozësh dhe sigurisht skuadra të mëdha që do ta kthenim vendin tonë për një muaj në epiqendër të lëvizjes futbollistike europiane.

Një Kampionat Europian në Shqipëri do të kishte një ndikim të madh edhe tek të rinjtë dhe të rejat e këtij vendi, që jetojnë me futbollin si dhe do të përfshinte në organizimin e tij mijëra të tjerë, kjo për faktin se do të zhvillohen 15 ndeshje të cilat për nga niveli organizimit janë të barabarta me finalen e UEFA Conference League e zhvilluar majin e vitit të shkuar në Tiranë.

Në të njëjtën kohë me marrjen e të drejtës së organizimit të një kompeticioni kaq madhor lind dhe detyrimi për të kryer disa investime të rëndësishme shtesë në infrastrukturën e stadiumeve dhe veçanërisht fushave stërvitore ku së bashku me pushtetin qendror dhe atë lokal do të duhet të investohet në Tiranë, Durrës, Kamëz, Elbasan, Shijak, Rrogozhinë e Kavajë.

Urojmë dhe shpresojmë që më datë 26 shtator futbolli shqiptar të marri lajmin e madh se do të jetë mikpritësja e një Kampionati Europian.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img