Në prag të ndeshjes miqësore ndaj Ukrainës që do të luhet nesër në Valencia, në orën 20:45, trajneri Silvinjo dhe kapiteni Berat Gjimshiti dolën në konferencën zyrtare para kësaj përballjeje.
Trajneri Silvinjo u shpreh para ndeshjes me Ukrainën se pret një përballje të fortë dhe të vështirë, duke vlerësuar cilësinë e kundërshtarit. Ai theksoi gjithashtu se Shqipëria është një ekip në rritje dhe se lojtarët janë të motivuar për të dhënë maksimumin në fushë.
Një vlerësim të kualifikueseve të Botërorit me Shqipërinë? – Është e vështirë të diskutosh për vitin e kaluar, kur kemi një ndeshje të rëndësishme përpara. Viti i kaluar nuk ka qenë më i lehti për ekipin Kombëtar, kemi pasur një rrugë të gjatë që na ka çuar deri këtu dhe mendoj që kemi dhënë më të mirën. Sigurisht që arritëm fazën play-off dhe ndeshja ndaj Polonisë ishte ndeshja më e rëndësishme e historisë së futbollit shqiptar. Ishte një ndeshje shumë e bukur, por praktikisht në momentin që humbet duket sikur çdo gjë shkon keq, por në fakt nuk është kështu. Ne nesër kemi një ndeshje tjetër të rëndësishme dhe besoj që do të jetë një ndeshje e bukur. Ukraina është një skuadër shumë e mirë. Edhe ata janë të trishtuar si ne, por janë 90 minuta të cilat janë për t’u luajtur për të marrë një rezultat të mirë.
Cila do të jetë qasja juaj për ndeshjen e nesërme duke qenë se është vetëm miqësore? – Është e vështirë të përgatisësh një ndeshje pas takimit me Poloninë. Kjo është eksperiencë e njëjtë për të dyja ekipet në fakt. Tani duhet të luash një ndeshje miqësore. Unë e kam thënë edhe më parë që nuk besoj në ndeshje miqësore, duke qenë që çdo herë që futemi në fushë jemi të përqendruar për të bërë 90 minuta shumë të mira. E kam vënë re këto ditë që ka lojtarë që më drejtohen që unë jam këtu dhe mund të luaj 45 minuta, më tepër, 90 minuta dhe sigurisht që më duhet të mendoj për atë gjë. Por sigurisht që nuk mund të bëhen 7-8 ndryshime. Pavarësisht që e shikoj si një mundësi për lojtarët e tjerë, e shikoj edhe si një punë në grup dhe skuadra duhet të organizohet si zakonisht që të funksionojë si duhet. Por sigurisht mund të kemi 3 apo 4 zëvendësime nga formacioni i mëparshëm.
Jeni ndeshur me Ukrainën edhe në Nations League, çfarë ndeshje pret dhe si është motivimi në këtë takim? – Presim një ndeshje ndryshe, të fortë dhe të vështirë sigurisht. Të dyja ekipet kanë lojtarë të mirë. Ende nuk e di formacionin me të cilin do të luaj Ukraina, po ashtu edhe Shqipëria. Do të vendoset pas drekës me një takim edhe me lojtarët dhe besoj se do të sjellim formacionin më të mirë në fushë. Në ndeshjen e kaluar nuk kemi patur një rezultat të mirë, por jemi një ekip në rritje. Në anën tjetër, Ukraina ka lojtarë shumë të mirë, ka eksperiencë sepse ka luajtur në Kupën e Botës. Lojtarë që luajnë nga 90 minuta me klubet e tyre dhe luajnë në klube të rëndësishme. Nga ana tjetër edhe ne kemi lojtarë që kanë dëshirën dhe motivimin për të treguar më të mirën edhe me Kombëtaren, të tregojnë që e meritojnë të luajnë dhe që janë gati gjithmonë. Nuk di të them se si do të jetë ndeshja, por presim një ndeshje shumë të mirë. Ne kemi shumë besim te lojtarët tanë.
Si jeni përgatitur për ndeshjen me Ukrainën? – Çdo trajner i përgatit ndeshjet njësoj. Ne kemi nisur më shumë se një muaj përpara duke parë ndeshjet e çdo kundërshtari. E kemi nisur me Ukrainën, kemi vijuar me Suedinë dhe më pas me Poloninë, duke iu afruar datës së ndeshjes së parë. Tani është më e lehtë sepse kemi parë çdo ndeshje kualifikuese të Botërorit të Ukrainës dhe kemi parë e riparë edhe ndeshjet që kemi zhvilluar së bashku në Nations League.
Cili është motivimi juaj për të qenë krenarë për ekipin tuaj për të gjithë rrugëtimin tuaj? – Gjëja kryesore që e bën të lumtur një trajner është marrja e rezultatit. Por sidomos nëse do që të vijnë rezultate të mira njëra pas tjetrës, është e rëndesishme të kesh edhe performancë të mirë. Nesër do të jetë një ndeshje e vështirë. Nëse do humbasim me Ukrainën, do mërzitem. Por nëse fitojmë, do të jem shumë i lumtur. Është i rëndësishëm rezultati, sepse duhet gjithmonë të bëjmë më të mirën në fushë. Po flasim për ekipin kombëtar, luajmë për Kombin. Kjo është shumë e rëndësishme për të gjithë. Nëse fitojmë, do të jetë shumë mirë. Fokusi ynë është të shohim nesër edhe disa lojtarë të rinj që s’kanë pasur shumë mundësi në ndeshjet e kaluara.
Kapiteni Gjimshiti e nisi me një vlerësim për rrugëtimin e Kombëtares në kualifikueset e Botërorit 2026, duke e konsideruar si të mirë dhe pozitiv. Mbrojtësi kuqezi nënvizoi se skuadra duhet të lërë pas humbjen me Poloninë dhe mërzitjen ta kthejë në forcë për të ardhmen e Kombëtares shqiptare. Ndër të tjera, kapiteni Berat Gjimshiti vlerësoi ekipin e Ukrainës dhe kërkon që së bashku me skuadrën të marrin një rezultat pozitiv nesër.
Një vlerësim për ecurinë e Kombëtares në kualifikueset e Botërorit 2026 – Rrrugëtimi ka qenë shumë i mirë dhe pozitiv. Jeta është e shpejtë dhe mendohet veç gjëja e fundit, humbja me Poloninë. Që ndoshta e prish pak bukurinë e asaj që kemi bërë deri më tani në 2-3 vitet e fundit. Por prapë jemi pozitivë. Në këto momente, është pak ‘negativiteti’ në kokë, por duhet ta ndryshojmë dhe kthejmë në forcë dhe ta marrim me pozitivitet për të ardhmen e kombëtares shqiptare.
Si e shihni ekipin e Ukrainës dhe si është gjendja e lojtarëve të Kombëtares? – Është një skuadër shumë e fortë, në këto nivele siç jemi ne, Polonia apo Suedia. Pasi Ukraina ishte në këtë ‘final 4’ për biletën e fundit për Botëror. Duhet vlerësuar ekipi kundërshtar. Gjendja e ekipit? – Jemi të mërzitur, por sa më shumë kohë kalon, duhet ta kthejmë në forcë dhe të mendojmë vetëm për këtë ndeshje dhe të marrim një gjë pozitive nesër në këtë duel.
Si e vlerëson Malinovskin si lojtar duke qenë se keni luajtur bashkë tek Atalanta dhe çfarë impakti ka ai si lojtar tek Ukraina? – Vlerësimi është shumë i lartë. Kemi kaluar disa vite bashkë shumë pozitive tek Atalanta dhe e vlerësoj si lojtar dhe si djalë. Vlerësimi është shumë i madh. Besoj që edhe tek Ukraina është një lojtar kyç . Besoj që gjëja më e fortë që ka Malinovskin është gjuajtja nga distanca. Duhet të jemi afër në mbrojtje dhe mos ta lëmë të godasë portën sepse shumë shpesh e ka një gjuajtje shumë të fortë dhe godet shumë mirë.


