Pas barazimit 1-1 me Skënderbeun, trajneri i Dinamos, Rodolfo Vanoli foli në emisionin Gol Pas Goli në Supersport ku theksoi se skuadra e tij është ende “gjallë” ndërsa shtoi se prej momentit kur ka marrë drejtimin e bluve, ata kanë luajtur të barabartë me të gjithë kundërshtarët.
Çfarë nuk shkoi, sprinti final? “Nuk kam asgjë për t’i thënë lojtarëve, nuk mundëm të konkretizonim dhe kishim shumë raste. Ky është limiti i kësaj skuadre, prodhon por nuk finalizon. Nuk kam asgjë për t’i thënë sulmuesve se po japin maksimumin, por më vjen keq që nuk mundën të fitonim një ndeshje të tillë të cilën edhe mund ta humbnim.
Nuk mbaj mend një pritje të Simonit, kanë ngelur edhe tre ndeshje dhe vazhdojmë përpjekjet. Jemi ende gjallë. Nuk më pëlqen të gjykoj në fund të ndeshjes, unë flas për paraqitjen dhe kemi bërë një paraqitje shumë të mirë. Prej momentit kur unë jam këtu kemi luajtur të barabartë me të gjithë, na mungon vetëm goli. Me Tiranën në ndeshjen e parë gabuam një penallti në fund”.
Sa lojtarë e meritojnë të konfirmohen? “Për ne është e rëndësishme të mbyllim sa më mirë kampionatin, më pas do të vlerësohet gjithçka me klubin. Unë kam filozofinë time dhe mendoj që për të fituar ndeshjet duhet të kemi në zotërim topin dhe të jemi ofensiv. Por, edhe fusha nuk ishte mirë, por një futbollist duhet të luajë në të gjitha terrenet”, u shpreh Vanoli.