Laçi dhe Partizani u ndalën në barazim pa gola në ndeshjen e vlefshme për javën e 23-të të Kategorisë Superiore. Pas kësaj sfide ka folur trajneri i “Demave”, Aleksandar Veselinovic.
“Si gjithmonë përgëzoj lojtarët për impenjimin, tifozët për përkrahjen dhe kundërshtarin për ndeshjen. Për mua, cilësia e ekipit të Laçit është mbi nivelin e pozicionit në tabelë. Ndeshja ka përfunduar 0-0 dhe mund të themi se kemi marrë pikë në një fushë të vështirë. Ne kemi situatën në ekip siç e kemi. Ka disa lojtarë që janë të lënduar dhe të tjerë që kanë ardhur që nuk janë në formën e ndeshjeve. Lojtari i vetëm në formë fizike për të përballuar ndeshje është Padstrelau. Vujnoviç ka bërë vetëm dy stërvitje të lehta dhe nuk ka marrë pjesë në ndeshje. Merkato e dimrit është gjithmonë shumë e vështirë, siç e dini. Ne nuk kemi arritur të sjellim dy mesfushorë se ashtu ishte situata dhe në raport me këtë që thashë kemi pak mungesë ekuilibri mes linjave. Pastaj në raport me atë që kemi në ekip, mundojmë të gjejmë ndonjë zgjidhje që të funksionojë më mirë.
Kur luan kundër Laçit në transfertë në çdo moment duhet të jesh kompakt e i fokusuar se kanë cilësi, kanë lojtarë cilësorë si Prodani e Mjaki në krahë. Mund të numëroj shumë lojtarë si Manellari e Tresa e të tjera, ndaj them se janë mbi nivelin e pozicionit që kanë në tabelë aktualisht. Kishte disa përgjigje që bëmë në fushë, ishin rezultat i asaj që na imponoi kundërshtari. E kam thënë që nuk morëm iniciativë siç kishim përgatitur në qendrën e mesfushës.
Mungesa e një golashënuesi? Unë jam i kënaqur që kur shumë lojtarë shënojnë brenda ekipit. Merkatoja është pak specifike dhe e vështirë për të gjetur lojtarë që i përgjigjen nevojave të ekipit, nga gjithë lëvizjet dhe mundi që është dhënë për të gjetur, nuk kemi arritur të gjejmë dy lojtarë të tillë. Nuk duhet të qahemi dhe jam i asaj që duhet të përkrahim ata që kemi. Pastaj në raport me motivimin e tyre, cilësitë, formojmë diçka që duhet në raport me ata. Ky është ekip i ri, përveç Taipit e Domgjonit që janë me përvojë, ndaj duhet shumë mbështetje. Fjalë për fjalë kanë mbështetjen time, pikë së pari nga mënyra si punojnë dhe nga ky aspekt, unë do t’i ndihmoj për gjithçka.
A mjaftojnë deri në fund vetëm 5 mesfushorë? Nuk e di, do të tregojë koha a mjafton apo jo, pasi kemi edhe mbi 10 ndeshje deri në fund të marsit. Maksimumi që mund të bëjmë është t’i marrim nga ndeshja në ndeshje. Nuk jam i sigurt për Koten, se që nga e hëna nis punën me intensitet maksimal. Dhe pastaj na mbetet të shohim me çfarë ritmi do t’i kthehet formës fizike për ndeshje. Siç e thashë nuk jam nga ata që qahem, ndaj mbështetje maksimale ndaj këtyre që kemi dhe hap pas hapi të shohim ku të shkojë,
Sa i përket emrave, Atanaskoski ka qenë dy vite këtu, njerëzit e njohin, janë të kënaqur me sjelljen e përkushtimin e tij. Vujnoviç ka kaluar në akademinë e futbollit te Vijareal, ka luajtur në ligat kroate e serbe, ka shënuar kundër Holandës, ka shënuar edhe kundër Dinamos së Zagrebit. Por problemi është se në dy muajt e fundit nuk është në rrjedhshmëri të ndeshjes. Pajtohem plotësisht, ndaj mundohem të shpjegoj specifikën e atyre, që të përshkruaj në një farë forme merkaton e dimri, po ashtu edhe Eleke që ka luajtur në Japoni, por ka 6 muaj pa luajtur. Është gjetur një interes i përbashkët në të mirë edhe të karrierës së tij të vijë këtu, edhe me atë duhet durim se do një periudhë ambientimi. Kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me njerëzit e menaxhimit në klub dhe e di sa e vështirë është të sjellim lojtarë. E them me keqardhje që mbase prioriteti i merkatos kanë qenë mesfushorët qëndrorë me ikjen e Maget dhe Rrapajt. Por nuk ia arritëm. Asgjë nuk është ideale në jetë, por do të vazhdojmë me këta që kemi dhe do i shohim gjërat hap pas hapi. Nuk jam trajner që flas me menaxherët, fola me menaxherët e klubit dhe brenda nesh ka qenë gjithçka ok”, tha Veselinoviç për RTSH pas ndeshjes.