170 sportistë, përfaqësues të ekipeve të alpinizmit nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, Shkodra, Elbasani, Tirana, Vlora, Puka, Berati, Përmeti, Korçë etj, por edhe të huaj, ishin pjesëmarrës në një aktivitet kombëtar dy ditor organizuar këto ditë nga Federata Shqiptare e Alpinizmit dhe Turizmit Malor (FSHALTM) në zonën veriore të Shqipërisë, Shkodër dhe Bogë.
Krahas ngjitjes në pikat e programuara, ku sipas organizatorëve u realizua me sukses, qëllimi i aktivitetit nuk ishte vetëm aspekti sportiv, por edhe promovimi i turizmit malor në këtë zone të mrekullive natyrore të Veriut Shqiptar, e cila gjatë periudhës së fundit po frekuentohet masivisht nga turistë të huaj dhe vendas.
Artur Guni, President i FSHALTM, bën të ditur për Veriu Sport, se pjesëmarrësit e këtij aktiviteti u ndanë në tre grupe për shkak të numrit të madh dhe destinacioni i ngjitjes ishte te dy majat binjake të Thethit.
Nga sa u pa, pjesëmarrës të këtij aktiviteti ishin alpinistë të grupmoshave të ndryshme, ku mes tyre, natyrisht që përgëzimet më të shumta shkojnë për alpinistin më të ri të turneut,13 vjeçarin Leomir Laçi, i cili vjen nga ekipi i alpinizmit të Pukës, si vazhdues i traditës së mirëfilltë të mjeshtrit të spikatur të alpinizmit shqiptar, Përparim Laçi dhe brezave të familjes së tij.
“Ky aktivitet kontribuoi në rritjen e vizibilitetit të turizmit malor shqiptar dhe inkurajoi zhvillimin e aktiviteteve sportive në natyrë, duke forcuar lidhjet mes komuniteteve lokale dhe promovuar vlerat kulturore të trevave shqiptare.”, shprehet Presidenti i Federates Shqiptare të Alpinizmit dhe Turizmit Malor (FSHALTM), Artur Guni.
Më tej, zoti Guni, falenderon të gjithë Alpinistet e drejtuesit e ekipeve për Disiplinen dhe vullnetin e tyre, ndërsa shton: “Dy majat Binjake ishin sfiduese, jo vetem për ndërthurjen e Ngjitjes Bjeshkatare dhe kacavarjes, por dhe menaxhimit me sukses të numrit masiv të pjesmarjes!”
Nje falenderim të veçantë ka kreu i federatës edhe për drejtuesit e ngjitjeve Detjonin ( ShbaTirana), Julin e Alpine Guide Albania, djemtë e “Kërkim shpëtimit” Nertili, Dioni, Juli që siguruan mbarëvajtjen e Aktivitetit!”
Në mbyllje, duke shprehur kënaqësinë e mbarëvajtjes së një aktiviteti model në të gjithë aspektet organizuese, por edhe të një cilësie të lartë sportive, njëshi i Federates Shqiptare të Alpinizmit dhe Turizmit Malor (FSHALTM), Artur Guni, thekson se në projektet dhe kalendarin sportiv që Federata, të cilën ai drejton, janë edhe takime të tjera në shkallë kombëtare dhe ndërkombëtare që i shërbejnë promovimit të turizmit malor, në zona të tjera turistike.
(Video) Pamje nga aktiviteti dy ditor, Shkodër-Bogë, organizuar nga Federata Shqiptare e Alpinizmit dhe Turizmit Malor me pjesëmarrjen e 170 sportistëve, përfaqësues të ekipeve të alpinizmit nga qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe të huaj.
Fatmir POPJA