Ish futbollisti i njohur shkodran, Altin Xhahysa, kampion me uniformën kuqeblu, dhe më pas në rolin e trajnerit me disa ekipe të kategorive të ndryshme, këtë sezon është emëruar në rolin e trajnerit të ekipit Ada e Velipojës.
Nisja me vonesë e përgatitjeve, por në një farë mënyre edhe mungesa e kontigjentit të duhur të futbollisteve, por edhe dëshira e vetë Xhahysës, e ka nxitur atë që në përballjen e javës së tretë të Kampionatit Kombëtar të kategorisë së dytë të marrë një vendim të guximshëm.
Edhe pse në moshën 48 vjeçare, falë kondicionit të mirë fizik që ai gëzon, Xhahysa ka luajtur për 90-të në formacionin e Adës së Velipojës në përballjen që kishte të shtunën e kaluar me Vorën në transfertë.
Një vendim që i ka befasuar të gjithë, futbollistët e të dyja skuadrave, trajnerët, përfaqësuesit zyrtar të Federatës Shqiptare të Futbollit, dhe padyshim edhe tifozërinë e pranishme.
Në prononcimin e dhënë për Veriu Sport, Xhahysa thotë se një dëshirë të tillë për të luajtur në formacion e ka pasur edhe gjatë sezonit të kaluar futbollistik kur drejtonte KF Murlani, por tashmë, duke shtuar edhe nevojën e skuadrës, e bëri fakt të kryer një gjë të tillë. Madje, ai shton, se një veprim të tillë do ta përsërisë edhe në ndeshjet e ardhshme të Kampionatit Kombëtar të kategorisë së dytë.
Ndër të tjera, për Xhahysën, kjo ndeshje ishte e veçantë edhe për faktin se po luante në formacionin e Adës së Velipojës së bashku me nipin e tij 21 vjeçar Rigers Xhahysa, një kujtim që do ta mbajë mend gjatë.
Rasti në fjalë i Altin Xhahysës,që në moshën 48 vjeçare, luan në formacion për 90-të minuta në një kampionat zyrtar futbolli, është i pari i këtij lloji në Shqipëri. Ndërkohë, që në bisedë edhe me përfaqësues të FSHF-së, mësuan se Rekordin Botëror Guinness e mban një japonez që ka luajtur në moshën 54 vjeçare në një kampionat futbolli zyrtar. Që do të thotë, se Xhahysa do të tentojë ta përmirësojë. Të paktën, kështu premtoi në intervisten e dhënë për Veriu Sport. Intervistë, të cilën ju ftojmë ta ndiqni në kanalin tonë Youtube.
(Vedio) Intervista me futbollistin 48 vjeçar, Altin Xhahysa, i cili dy ditë më parë luajti 90-të minuta në KK të kategorisë së dytë, kundër Vorës)
Gaspër MARKU