Në prag të rinisjes së pjesës së dytë të sezonit futbollistik, arbitrat, asistentët dhe vëzhguesit e Kategorisë së Parë zhvilluan me sukses testet teorike dhe fizike, në kuadër të vlerësimit të mesit të sezonit. Testimet u zhvilluan sipas standardeve të përcaktuara dhe arbitrat u paraqitën në një nivel shumë të mirë, si në aspektin teorik, ashtu edhe në atë praktik e fizik.
Në të njëjtën kohë u zhvillua edhe seminari i dimrit, i cili fokusohet në diskutimin e situatave të ndryshme, përditësimin e pjesëmarrësve me rregulloren dhe sistemi VAR.
Gjatë këtij aktiviteti ishte i ftuar edhe instruktori i FIFA-s, Carlos Clos Gomez, i cili ndau njohuritë dhe eksperiencën e tij me arbitrat dhe instruktorët shqiptarë. Prezenca e tij shërbeu si një mundësi e rëndësishme për analizimin e situatave të lojës dhe unifikimin e kritereve të arbitrimit, në përputhje me standardet europiane dhe ndërkombëtare.
Në një prononcim për fshf.org, Carlos Clos Gomez u shpreh mbi rëndësinë e këtij aktiviteti për arbitrat shqiptarë:
“Faleminderit shumë për mirëpritjen. Unë jam këtu për të bashkëpunuar me FSHF, jam instruktor në FIFA dhe do ndaj opinionin tim me arbitrat dhe instruktorët këtu. Mendoj se është një moment shumë i mirë për të analizuar situata, jo vetëm për kompeticionet shqiptare, por edhe për ato europiane dhe kështu ne mund të jemi më konsistentë me kompeticionet kudo në botë”, – tha Carlos Gomez.
“Për ta është e rëndësishme të dinë opinionin e instruktorit, opinionin e kujtdo që punon në Komitetin e Arbitrimit dhe mendoj se një seminar i tillë funksionon shumë mirë në njohjen e opinioneve dhe të përmirësimit, jo vetëm nga pikëpamja teknike, por edhe fizike. Mendoj që këto objektiva janë totalisht të përmbushur”, – theksoi instruktori i FIFA-s.



