Saturday, July 5, 2025

(Video) Atletikë-Shkodra nderon Gëzim Memen! Organizohet Kupa e Ikonave “Gëzim Mema”, në nderim të një prej figurave më të shquara të atletikës shkodrane dhe shqiptare ndër vite

Lexo

Shoqata e Atletikës “Vllaznia”, në bashkëpunim me Bashkinë Shkodër dhe Federatën Shqiptare të Atletikës, organizuan aktivitetin “Kupa Ikonave – Gëzim Mema”. Ky aktivitet u zhvillua në nderim të një prej figurave më të shquara të atletikës shkodrane dhe shqiptare ndër vite, Gezim Mema.

Në aktivitetin e organizuar pasditen e së premtes në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, morën pjesë atletë nga qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe nga trevat shqiptare të Kosovës, përfshirë, si ekipet e atletikës së Prizrenit, Malishevës dhe Roganës, të cilët konkuruan në disiplinat e garës së vrapimeve 100, 200, 400, Meshkuj dhe Femra, si dhe në Kërcim së gjati, Kërcim trehapësh dhe Stafetë 4×100m për  Meshkuj.

Ashtu siç parashikohej, atletët e Vllaznisë së Shkodrës ishin më të spikaturit në konkurimet e tyre duke merituar katër vende të para më garat individuale, ndërkohë që edhe sportisti më i mirë i aktivitetit doli nga ekipi i Vllaznisë, i cili ishte Endri Rakaj, fitues i vendit të parë –në Kërcim së Gjati me 7.41 duke grumbulluar 1010 pikë olimpike!

Rezultatet teknike të atletëve të Vllaznisë

100m

Franko Burraj – Vendi i parë me kohën 10.85

Lulzim Çangeli – Vendi i dytë

Renis Jasini – Vendi i tretë

Kërcim së gjati

Endri Rakaj – Vendi i parë me 7.41 m

Elizeo Spathari – Vendi i dytë

Mario Cepi – Vendi i tretë

Kërcim trehapësh

Durjon Idrizaj – Vendi i parë

Mario Cepi – Vendi i dytë

Elizeo Spathari – Vendi i tretë

200m

Dirjon Idrizaj – Vendi i dytë

400m

Sidrit Kopliku – Vendi i dytë

Stafeta 4x100m

  1. Kopliku, D. Pohja, E. Koçi, D. Pohja – Vendi i parë

Sportisti më i mirë i aktivitetit:

Endri Rakaj – kërcim së gjati me 1010 pikë olimpike!

Kush është Gëzim Mema?

Gëzim Mema ka lindur më 17 shtator 1946 në Shkodër, një qytet që do të mbetej gjithmonë epiqendra e jetës dhe veprës së tij. Që në rini, ai do t’i përkushtohej sportit të atletikës, ndërsa paralelisht do të ushtronte me përkushtim profesionin fisnik të mësuesit. Edhe pse si sportist nuk arriti nivelet më të larta të konkurrencës, shkëlqimin e tij të vërtetë e gjeti në rolin e trajnerit, aty ku pasioni dhe vizioni i tij do të bënin histori.

Në vitin 1981, në një periudhë të vështirë për atletikën shkodrane, Gëzim Mema emërohet kryetrajner i ekipit të Vllaznisë. Ai gjen një skuadër me vetëm katër sportistë dhe renditje të fundit në kampionat. Por për Profesor Memën, kjo ishte thjesht pika e nisjes. Brenda një kohe të shkurtër, falë punës këmbëngulëse dhe frymës organizative, ai arriti të grumbullojë në pistë plot 150 vajza dhe 250 djem, të drejtuar nga 25 trajnerë.

Rezultatet nuk vonuan të vijnë. Nën drejtimin e tij për 23 vite si kryetrajner, atletika shkodrane njohu një periudhë të artë me tituj kampionë, kupa Republike dhe trofe të shumtë që e kthyen Vllazninë në një fuqi dominuese në sportin e atletikës në Shqipëri – një dominim që vazhdon edhe sot.

Pas një karriere brilante si trajner, ai do të mbante më pas edhe pozicione të rëndësishme drejtuese: shef i Zyrës së Sportit në Bashkinë Shkodër dhe nga viti 2000 deri në 2013, drejtor i Sport Klub Vllaznia. Edhe në këto role, suksesi nuk mungoi – gjatë drejtimit të tij, klubi u vlerësua për disa vite radhazi si më i miri në vend.

Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në sportin shkodran dhe shqiptar, Prof. Gëzimi u nderua me tituj dhe medalje të shumta gjatë karrierës së tij, ndër të cilat mund të përmendim: Medalja “Naim Frashëri„ nga Ministria e Arsimit; “Trajner me rezultate të larta ne atletikë„ nga FSHA; Çmimi “Palok Nika“ nga Bashkia Shkodër; “ Krenaria e Federatës Shqiptare të Atletikes” nga FSHA; “Nderi i sportit shkodran„ nga Klubi “Vllaznia„; Medalje ari në sportin e atletikës ( Mjeshtër i merituar i sportit) nga MKRS;

Bashkia Shkodër e nderoi Profesor Gëzim Memën me titullin “Trajner i Shekullit”, në kuadër të festimeve të 100-vjetorit të themelimit të SK Vllaznia : Për kontributin e dhënë në disiplinën e Atletikës si trajner i Sportklub Vllaznia dhe ekipit kombëtar, duke arritur rezultate të larta në arena kombëtare dhe ndërkombëtare përgjatë viteve 1973-2014. Shpallet 18 herë Kampion Kombëtar me ekipin e meshkujve të rritur. Mbajtës i disa rekordeve si trajner.

(Video) Pamje nga garat e atletikës-“Kupa Ikonave “Gezim Mema”. Stadiumi “Loro Boriçi”-Shkodër

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img