Ka nisur në mënyrën më të mirë Kampionati Ballkanik i boksit që po mbahet në Serbi për boksierin e kombëtares së Shqipërisë, Jurgen Lazri. Katër herë kampioni i Shqipërisë, Lazri, i cili në kampionatin shqiptar përfaqëson ekipin “Tërbuni Boks” nën drejtimin e trajnerëve, Emiliano dhe Klaudio Çekini, në këtë Ballkaniadë konkuron për peshën deri në 63 kg.
Në sfidën e parë ka pasur përballë kampionin e Moldavisë, Igor Nazarov. Një ndeshje e cila është dominuar tërësisht nga ana e boksierit shkodran Jurgen Lazri, gjë të cilën e pasqyron edhe vetë rezultati, kur të pesë gjyqtarët kanë votuar për të duke i dhënë fitoren e thellë, 5 me 0.
Me këtë fitore, kampioni shqiptar, Jurgen Lazri është kualifikuar në turin e dytë duke u futur në zonën e medaljeve. Ndeshja e radhës, për Lazrin do të jetë menjëherë, pasditen e së martës ku shorti e ka vënë të përballet me kampionin e Rumanisë, Florin Ulmeanu, i cili është njëkohësisht edhe kampioni i Europës në fuqi për këtë peshë.
Në prononcimin e dhënë për Veriu Sport, përpara nisjes në Ballkaniadën e Serbisë, Lazri u shpreh optimist, se me përgatitjen speciale të zhvilluar në palestër me dyshen e trajnerëve, Emiliano dhe Klaudio Çekini, ka objektiv të fitojë medaljen e artë në peshën e tij 63. Kg.
Ndërkohë, për boksierin tjetër të “Tërbuni Boks”, Kristian Jubani, që përfaqëson Shqipërinë në Ballkanidë, ka lajme të mira, pasi është kualifikuar në finale, ndeshjen e së të cilës do ta zhvillojë me datë 21 nëntor duke pasur përballë një boksier shumë cilësor nga Rumania, Stoica Serban.
Shkodrani Jurgen Lazri ishte i pari që u ngjit në ring sot për kombëtaren e Shqipërisë duke regjistruar fitoren e parë kuqezi. Ndërkohë, pas tij kanë boksuar mjaft mirë edhe dy boksierët e tjerë kuqezi, Jurgen Gashi dhe Besian Karaj, të cilët i mbyllen ndeshjet e tyre me fitore. Ndërsa, për Renis Tresen dhe Stiven Xixin, megjithë fuftën e fortë në ring, nuk arritën të dalin fitues duke e mbyllur këtu konkurimin në Ballkaniadë.
(Video) Momenti i shpalljes së vendimit për boksierin Jurgen Lazri, i cili në peshën 63 kg fitoi me epërsi 5-0 ndaj moldavit, Igor Nazarov.
Gaspër MARKU