Tuesday, November 25, 2025

(Video) Barazim dramatik në Shkodër. Vllaznia B e pëson në limit të shtesës nga Dinamo B. Shënues të ndeshjes dy shkodranë: Ensar Tafili për kuqeblutë dhe Skënder Meta për miqtë

Lexo

- Reklamë -spot_img

Vllaznia B-Dinamo B 1-1(Shënues: Ensar Tafili 47’ /Skënder Meta 94’)

Një gol i shënuar nga shkodrani Skënder Meta në sekondat e fundit të minutës së katërt shtesë në portën e Vllaznisë B ka regjistruar një barazim dramatik duke i dhënë një pikë në transfertë ekipit të tij Dinamo.

Në këtë mënyrë, pas tre fitoreve radhazi, Vllaznia B ndalet në shtëpi duke mbetur në kuotën e 10-të pikëve, ndërkohë që Dinamo është në krye me 13 pikë.

Sfida në fjalë, e vlefshme për javën e katërt të Kampionatit Kombëtar të Kategorisë së Tretë u luajt pasditen e së dielës në stadiumin “Reshit Rusi” të Shkodrës duke vënë përballë dy skuadra që janë pretendente kryesore për kualifikimin një kategori më lart.

Edhe pse pjesa e parë ishte më e mirë sesa Vllaznia, 45 minutat e para u mbyllën në në barazim me rrjeta të paprekura.

Ndërkohë, vetëm dy minuta nga nisja e pjesës së dytë, Vllaznia kalon në avantazh me golin mjeshtror të shënuar nga Ensar Tafili, futbollist ky i ardhur si përforcim nga ekipi i parë së bashku me Gurishten, Kubazin dhe Aren.

Pas pësimit të golit Dinamo e rrit lojën e saj në kërkim të golit të barazimit, ndërkohë që me rastet e paraqitura Vllaznia mund ta dyfishonte avantazhin, por pengesë u bë portjeri shkodran që mbron portën e Dinamos, Tomas Kiri.

Katër minutat shtesë të akorduara nga gjyqtari kryesor Ermal Gryka janë fatale për Vllazninë, e cila nuk arrin të mbajë në fuqi avantazhin, sepse në skenë del një shkodran tjetër në radhët e Dinamos, si Skënder Meta, ai i cili në limitin e minutave shtesë të ndeshjes befason kuqeblutë duke shënuar me kokë golin e barazimit për skuadrën dinamovite të drejtuar nga trajneri Renato Kalari.

Një mbyllje për t’u harruar për skuadrën kuqeblu, e cila lëshon dy pikë në fushën e saj duke u ndalur pikëtisht nga rivali kryesor, Dinamo B, e cila kryeson kampionatin me 13 pikë. Në vendin e dytë e ndjek Kamza me 11 pikë, ndërsa Vllaznia B është në vendin e tretë me 10 pikë, po aq sa ka edhe Shënkolli i vendit të katërt.

Në prononcimin e dhënë pas ndeshjes për Veriu Sport, trajneri i kuqebluve Brikeno Bizi, shpreh keqardhjen e pësimit të golit në fund të takimit përmes një gabimi në rreshtim, por nga ana tjetër përgëzon futbollistët e tij për lojën e zhvilluar në këtë ndeshje.

(Video) Pjesën e dytë të ndeshjes, Vllaznia B-Dinamo B, si dhe prononcimin e trajnerit kuqeblu Brikeno Bizi, mund t’i ndiqni në kanalin tonë zyrtar, Veriu Sport-YOUTUBE.

Gaspër MARKU

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img