Barazimi 0 me 0 i regjistruar me Egnatian mbrëmjen e së premtes në stadiumin “Arena Egnatia” bëri që Vllaznia humbi një premio të majme për fitore akorduar nga biznesmeni shqiptar Adem Hasani i Bujanovcit. Një gjë të tillë e bën të ditur vetë klubi kuqeblu, i cili në postimin zyrtar, shkruan:
““Gjest i madh i biznesmenit shqiptar nga Bujanovci Adem Hasani i cili kishte vendosur një premio të majme për ekipin në rast fitore ndaj Egnatias. Vllaznia ka tifoza deri në Luginën e Preshevës…”

Siç shikohet nga video ekskluzive që Veriu Sport ka regjistruar në tribunën VIP të stadiumit “Arena Egnatia” të Rrogozhinës, biznesmeni shqiptar nga Bujanovci Adem Hasani, është përkrah presidentit të KF Vllaznia, Alban Xhaferi dhe atij të KFF Vllaznia femra, Lazër Matija.
Nga sa mësohet, biznesmenit shqiptar nga Bujanovci Adem Hasani, është një simpatizant i kahershëm i futbollit shkodran, por gjatë periudhës së fundit, falë njohjeve personale me presidentin e KF Vllaznia, Alban Xhaferi, ka shprehur dëshirën të kontribuojë në klubin kuqeblu.
Hapi i parë i zotit Hasani është bërë me shfaqjen e tij në tribunën VIP të stadiumit “Arena Egnatia”, ku përpara sfidës, ka akorduar një premio të majme për fitoren e Vllaznisë.
Një premio, ku falë barazimit 0 me 0, nuk u arrit të përfitohej nga futbollistët, por ajo çka është më e rëndësishmja, ka të bëjë me atë që Vllaznia ka fituar një mik, i cili ka premtuar që afrimiteti me klubin legjendar shqiptar të jetë edhe më i madh gjatë periudhës në vazhdim, ku bashkëpunimi pritet të jetë në një plan më të gjërë.
(Video) Adem Hasani-Biznesmen shqiptar nga Bujanovci në tribunën VIP përkrah presidentit të KF Vllaznia, Alban Xhaferi dhe atij të KFF Vllaznia femra, Lazër Matija, në ndeshjen Egnatia-Vllaznia).
Gaspër MARKU



