Basania FC – KF Adriatiku 0-1(Shënues: Hoxha 58’)
Rikthimi Kampionatit të Kategorisë së Dytë për pjesën e dytë të sezonit që i përket javës së 12-të, është pritur me me shumë interes në kampin klubit bushatas, Basania FC. Përkujdesja e presidences në krijimin e kushteve të duhura, përgatitjet serioze nën drejtimin e dyshes së trajnerëve Erjon Mani-Mario Kola, përfshirja në merkato me një numër të konsiderueshëm të futbollistëve të rinjë shkodranë si dhe të huaj, u shoqëruan me optimizmin e duhur që vitin 2025, Basania do ta niste me fitore, aq më tepër kur ajo luhej në shtëpi.
Por, përfundimi i 90-të minutave të luajtura pasditen e së shtunës në fushën sportive të Bushatit në mes Basanias vendase dhe Adriatikut mysafir, ka folur në të kundërtën e asaj që duhej të ishte. Themi kështu, sepse me lojën shumë të mirë që Basania zhvilloi sidomos në pjesën e parë, ku goditën dy herë shtyllat e portës së kundërshtarit si dhe me presionin e vazhdueshëm që ushtroi gjatë të gjithë lojës, fitorja ishte më e drejtë të fiksohej në favor të Basanias.
Ka mjaftuar një gol i shënuar me fillimin e pjesës së dytë, saktësisht në të 58-tën minutë me autor Giovanni Hoxha, që e gjithë ndeshja të mbyllej me rezultatin 0 me 1 në favor të KF Adriatikut, duke shkuar në kuotën e 14 pikëve, aq sa kanë edhe Albanët dhe Naftëtari i vendeve 7-të dhe 8-të.
Ndërkohë, humbja në shtëpi e pozicionon Basanian në vendin e 10-të me 14-të, aq sa ka edhe Gramshi i parafundit, duke lënë në fund të renditjes Murlanin me vetëm 1 pikë, pikë të cilin ia ka marrë Basanias në transfertë.
Përpos humbjes së tre pikëve që mund të ndikojnë shumë në objektivin e fundsezonit, Basania humbi edhe portjerin Fatjon Marku, i cili në reagimin që shfaqi në fund të ndeshjes ndaj arbitrit kryesor Ermal Gryka nga Fusha Kruja, u ndëshkua nga ky i fundit me kartonin e kuq duke e skualifikuar për ndeshjen e ardhshme.
(Video) Pamje nga ndeshja Basania FC-KF Adriatiku, 0-1. Kategoria e Dytë, grupi A, java e 12-të Fusha sportive e Bushatit.