Vllaznia-Teuta 71-73(24-23, 15-18, 17-19, 15-13)
Formacioni i Vllaznisë: Ingrit Dashja(9), Anisa Bokrina(16), Melida Hykaj(5), Bernada Reshpja(34), Sindi Kryeziu(5), Isra Dibra, Medina Hykaj(5), Anisa Musaja(2), Sara Murçaj. Trajnere: Medina Mustafa
Gjyqtarë: Amarildo Brahilika, Ardi Ndoj
Vëzhgues i FSHB: Salvator Kurti
Vllaznia dhe Teuta në basketboll për femra janë përballur mbrëmjen e së premtes së 6 dhetorit 2024 në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” në kuadër të javës së tetë të Kampionatit Kombëtar të basketit pë Kategorinë e Parë.
Ndryshe nga ballafaqimi në fazën e parë i luajtur në pallatin e sportit “Ramazan Njala” të Durrësit, ku Vllaznia e drejtuar nga trajnerja Medina Mustafa, fitoi me 14 pikë diferencë, sfida e mbrëmjes së sotme është mbyllur me fitoren e ekipit durrsak me shifrat e ngushta, 71-73.
Një ndeshje që filloi më mirë për basketbollistet kuqeblu, të cilatfituan periodën e parë 24-23, por humbën të dytën 15-18 duke bërë që Teuta ta mbyllë pjesën e parë me fitore, 39-41.
Mikeshat nga Durrësi, në përbërjen e të cilave bëjnë pjesë katër basketbolliste të huaja, kundrejt një Vllaznie, e tëra “bio” me basketbolliste shqiptare, madje që të gjitha shkodrane, fitojnë edhe periodën e tretë 17-19 duke e thelluar diferencën në plus 4, kur ka mbetur edhe një periodë dhjetëminutëshe për t’u luajtur.
Periodë kjo, e cila është edhe më e bukura e krejt ndeshjes, kjo edhe për meritë të Vllaznisë, e cila e përmirëson ndjeshëm lojën duke bërë që në pesë minutëshin e fundit, ndeshja të përfshihet në një rivalitet shumë të madh. Me vetëm dy pikë plus për Teutën, 60-të sekondëshi i fundit i krejt ndeshjes, përpos emocioneve të pafund në radhët e tifozëve, ka edhe tension në fushën e lojës.
Shkak është bërë një vërshëllimë e arbitrave të ndeshjes, të cilët bëjnë të pavlefshëm një sulm të Vllaznisë, që nëse do të shënonte do ta barazonte rezultatin. Topi ishte nën zotërimin e Bernada Reshpjes, pika më e fortë e Vllaznisë, me 34 pikë të shënuara në këtë ndeshje, e cila teksa po depërtonte në zonën durrsake, ndëshkohet me faull. Një vendim ky që u kundërshtua nga trajnerja Mustafa dhe vete Reshpja, me pretendimin se vendimi ishte i padrejtë.
Gjithësesi, fundi i të gjithë ndeshjes, fikson shifrat, Vllaznia 71 dhe Teuta 73, duke nxjerrë fituese skuadrën durrsake, e cila në një farë mënyre merr revanshin e asaj humbjeje në shtëpi për fazën e parë.
(Video) Ndeshja, Vllaznia-Teuta, basket femra, 71-73(Pjesa e dytë, transmetim i drejtpërdrejtë nga Veriu Sport). Si dhe prononcimi i trajneres së Vllaznisë Medina Mustafa, pas ndeshjes.