Vllaznia-Fieri Basket 108-66(25-14, 33-19, 30-14, 20-19)
Vllaznia në basketboll meshkuj po kalon nga fitorja në fitore. Radhën këtë javë e ka pasur Fieri Basket, skuadër e cila ishte mysafire mbrëmjen e së dielës në pallatin e sporteve “Qazim Dervishi” të Shkodrës.
Ndeshja e vleshme për javën e shtatë të Superligës së basketit për meshkuj kishte në fushën e lojës vetëm një skuadër, dhe ajo ishte Vllaznia e Shkodrës.
Skuadra e drejtuar nga trajneri Eni Llazani e dominoi takimin që nga fillimi deri në fund, gjë për të cilën flasin edhe shifrat e periodave, që të gjitha në favor të Vllaznisë.
Me njëmbëdhjetë pikët plus të fiksuara në përfundim të periodës së parë pas avantazhit 25-14, Vllaznia e kishte më të lehtë për të administruar takimin në favorin e saj.
Por, duke i shtuar edhe fitoren e periodës së dytë me shifrat 33-19, kuqeblutë shkojnë në dhomat e zhveshjes për pushimin mes dy pjesëve me plus 25 pikë(58-33).
Ritmi pozitiv i kuqebluve vijon edhe në periodën e tretë, teksa Vllaznia e fiton me shifrat 30-14. Ndërkohë, e vetmja periodë që rezultati tenton të ketë rivalitet është ajo e katërta, e cila edhe pse miqtë nga Fieri kanë një përmirësim të lojës së tyre, është përsëri skuadra shkodrane që e mbyll me fitore 20 me 19.
Shifra këto që në përfundim të katër periodave shkojnë në kuotën e 108 pikëve të Vllaznisë kundrejt vetëm 66 të miqve nga Fieri duke e mbyllur këtë ndeshje me diferencë prej 42 pikëve në favor të kuqebluve.
Pikët e Vllaznisë në këtë ndeshje janë shpërndarë në disa lojtarë, ku në krye është Thomas Justin me 23 pikë, për të vijuar me Antonyo Bryce dhe Arnold Arlando me nga 18, Bryant Julian 16, Robert Shestani dhe Klajd Kiri me nga 12 pikë si dhe Parker Ashton me 9 pikë.
Pas ndeshjeve të javës së gjashtë, ku Vllaznia e mbyll me vend të katërt në renditje, Kampionati Kombëtar i Superligës së basketit për meshkuj ndërpritet për ti lënë vendin ekipit kombëtar i cili do të zhvillojë dy ndeshjet e radhës, me 27 nëntor Sllovaki-Shqipëri dhe 30 nëntor Shqipëri-Kosovë, takim i cili do të luhet në Shkodër.
Gaspër MARKU



