Në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës do të zhvillohet Kampionati Evropian i basketbollit kategoria U16 për Djem Divizioni C. Një gjë e tillë është vendosuar pas vizitës që përfaqësues të Federatës Shqiptare të Basketbollit dhe Federatës Europiane të basketit bënë në qytetin verior, ku u pritën nga zëvendëskryetari i Bashkisë Shkodër, Alban Preka, si dhe specialisti i sportit pranë kësaj bashkie, Antonio Shabani
Në prononcimin e dhënë për Veriu Sport, Antonio Shabani, i cili është pjesë e kahershme e basketbollit, fillimisht si sportist, dhe tashmë si trajner i moshave, e vlerëson si një ngjarje të rëndësishme zhvillimin e Europianit në Shkodër.
Ndër të tjera, Shabani, thekson se aktiviteti në fjalë ka mbështetjen e Bashkisë Shkodër, e cila duke pasur edhe statusin e qytetit Europian për vitin 2025, e pasuron akoma më shumë programin vjetor të sportit për këtë vit.
Për Shabanin, i cili është edhe njohës shumë i mirë i kësaj grupmoshe, pasi drejton si trajner ekipin e Vllaznisë, Shqipëria, në formacionin e së cilës do të ketë edhe basketbollistë shkodranë, pretendon të ngjitet në podiumin e fituesve.
(Video) Prononcimin e plotë të trajnerit të basketbollit Vllaznia U16, Antonio Shabani, mund ta ndiqni në kanalin tonë zyrtar, Veriu Sport-YOUTUBE.