(Video) Basketboll Meshkuj-Tjetër humbje e Vllaznisë në shtëpi. Pas Besëlidhjes, e mund edhe Kamza Basket

Vllaznia-Kamza  73-87(19-21, 15-19, 14-27, 25-20)

Kalendari i Javës së 14-të të Superligës së Basketbollit Meshkuj e vendosi Vllazninë të luante për të dytën javë me radhë në shtëpi. Pas derbit verior me Besëlidhjen, të cilin e humbi me rezultatin 72 me 81, kuqeblutë priten mbrëmjen e se premtes në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” ekipin e Kamza Basket.

Një ndeshje që shfaqte shumë interes nga të dy kampet përkatëse, në objektivin e të cilëve ishin vetem fitorja. Më shumë sesa Kamza Basket, fitorja kërkohej nga ana e Vllaznisë, prej së cilës tifozëria kuqeblu ishte në pritje të një autokritikë pas humbjes së javës së kaluar me lezhjanët.

Por, ndeshja foli ndryshe, sepse në fushën e lojës u pa një Kamzë shumë e vendosur, e cila falë preçizionit të gjuajtjeve nga distanca me vlerë tre pikëshe përkundër shpërdorimit të sulmeve të kuqebluve, merr menjëherë avantazhin duke detyruar trajnerin shkodran Eni Llazani të marrë pushimin e parë kur kishin kaluar vetëm dy minuta lojë.

Për tu theksuar është mungesa e dy titullarëve kuqeblu, kapitenit Redi Rakaj dhe Elian Memçajt, të cilët falë një gjendje gripale, nuk ishin në përbërje të skuadrës, gjë që ia vështirësonte alternativat teknikut Llazani në stolin e rezervave.

Megjithatë, edhe pse Kamza pati shkëputje, Vllaznia e ngushtoi rezultatin në fundin e periodës së parë në vetëm dy pikë diferencë, 19-21, gjithnjë në avantazh të miqve nga Kamza. Vllaznia bie në gabime sërishmi edhe në periodën e dytë duke ia lehtësuar Kamzës fitoren e periodës së dytë me shifrat 15-19  në këtë mënyrë, pjesa e para të mbyllet me rezultatin 34-40 në favor të Kamza Basket.

Ajo që e rëndon akoma më shumë situatën në kampin kuqeblu është perioda e tretë e ndeshjes, e cila fitohet me diferencë pikësh nga ana e miqve me shifrat14-27, duke bërë që pas periodës së tretë, diferenca në favor të Kamzës të shkojë në plus 19 (48-67) për skuadrën mike të drejtuar nga trajneri Mirind Ferra.

Vetëm në periodën e katërt dhe të fundit ka një përpjekje të Vllaznisë, por fitorja e kësaj periode me shifrat 25 me 20 vlen vetëm për statistikë, sepse e gjithë ndeshja mbyllet me fitoren e merituar të Kamza Basket me rezultatin, 73 me 87.

(Video) Ndeshja Vllaznia-Kamza Basket, 73-87. Superliga e Basketbollit Meshkuj(Pjesa e parë e plotë). Pallati i sportit “Qazim Dervishi” Shkodër, 1 shkurt 2025.  

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu